Nga Ilir Beqaj
Në vlerësim janë përfshirë Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Serbi, Mali i Zi, Greqi, Kroaci. Burimi i të dhënave është WorldOmeter. Vlerësimi nuk merr përsipër të japë opinion për përhapjen e sëmundjes në vendet e ndryshme, apo, për më tepër, nuk merr përsipër të bëjë ndonjë konkluzion. Çdo lexues është i lirë të bëjë interpretimin e vet për çfarë ilustrohet grafikisht.
6 vendet ballkanike kanë specifikat e veta. Greqia është mbi 10 milionë banorë, ndërsa Mali i Zi është 631 mijë banorë.
Shkalla e ndikimit të një epidemie në një vend varet nga disa faktorë ekonomikë, socialë, demografikë, vendndodhja gjeografike, profili edemiologjik i popullsisës, etj. si dhe nga niveli i sistemit shëndetësor.
Krahasimi i të gjithë këtyre treguesve nuk është qëllimi i këtij shënimi. Megjithatë për 6 vendet po ilustroj tri tregues sinjifikativë në kontekstin e kësaj analize: jetëgjatësia e popullsisë, përbërja familjare dhe të ardhurat për banor. Për të lehtësuar leximin e grafikëve në vijim duhet patur parasysh se në çdo grafik është përdorur një ngjyrë të veçantë për Shqipërinë dhe një ngjyrë të veçantë për vendin me vlerën më të lartë të treguesit përkatës.
Sa më e moshuar të jetë popullsia aq më e lartë është shkalla e sëmundshmërisë nga sëmundjet jongjitëse (tension i lartë i gjakut, zemër, diabet, etj) që e ulin imunitetin kundrejt viruseve të ndryshme. Jetëgjatësinë më lartë e ka Greqia me 83 vite. Në Shqipëri jetëgjatësia është 78,9 vjeç.
Familja mesatare në Shqipëri ka 3,8 vetë. Shqipëria është vendi me familjen më të madhe. Sa më e madhe të jetë familja aq më e vështirë është të realizohet distancimi social.
Të ardhurat për banor më të larta janë në Greqi me 20,317 USD. Më të ulëtat janë në Shqipëri me 5,240 USD. Të ardhurat për banor japin një vlerësim të tërthortë për nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit, e për rrjedhorë mund të arsyetohet edhe për shkallën e gadishmërisë së vendit për të reaguar në raste emergjencash kombëtare, edhe pse kjo e kësaj here është një situatë e paparë (çfarë po ndodh në SHBA dh Itali, do të na bëjnë që në të ardhmen ndoshta GDP nuk do të jetë tregues për vlerësimin e përgatitjes së vendeve, për të përballuar emergjenca të mëdha).
Shenjat e para të COVID 19 nuk janë shfaqur njëherësh në të gjithë vendet. Prej 34 ditësh është shfaqur në Kroaci dhe në Maqedoninë e Veriut. Në Shqipëri është shfaqur prej 22 ditësh. Në grafikët në vijim përbri emrit të çdo vendi është shënuar edhe numri i ditëve të epidemisë me qëllim që çdo lexues të mbajë parasysh edhe periudhën e epidemisë.
Që nga fillimi i epidemisë, çdo ditë janë zbuluar mesatarisht 42,8 raste në Greqi dhe 9,6 në Shqipëri.
Por rastet e reja varen të paktën edhe nga përmasa e popullsisë, edhe nga koha që kur është shfaqur rasti i parë. Në pamundësi për të ndërtuar një tregues të përbërë që i jep një peshë të caktuar popullsisë dhe kohës së përhapjes së epidemisë, krahasimi mund të bëhet me numrin i rasteve pozitivë për çdo 1 milionë banorë të vendit përkatës.
Kroacia është vendi me numrin më të madh të personave pozitivë për 1 milion banorë, 175 persona. Por është edhe vendi ku epidemia ka filluar prej 34 ditësh.
Shqipëria ka 74,5 persona pozitivë për 1 milion banorë për një periudhë prej 22 ditësh nga fillimi i epidemisë.
Jam i vetedijshëm qoftë për faktin se edhe teorikisht në një moment të dhënë është e pamundur të dihet saktësisht numri i personave pozitivë, qoftë edhe për faktin që vende të ndryshme mund të kenë qasje të ndryshme në mënyrën e kryerjes së testimeve.
Edhe numrin e të vdekurve e vlerësojmë sipas popullsisë së vendit përkatës. Greqia ka 3,65 të vdekur për 1 milion banorë për 27 ditë nga fillimi i epidemisë. Shqipëria ka 3,51 të vdekur për 1 milion banorë për 22 ditë nga fillimi i epidemisë.
Shkalla e vdekshmërisë për rastet pozitivë është më e lartë në Shqipëri me 4,7 %.
Shqipëria ka edhe shkallën më të madhe të personave të shëruar me 18,9 % të të gjithë personave pozitivë. Madje në shkallë ndjeshëm më të lartë se të gjithë vendet e tjera.
Për çdo person të vdekur në Kroaci janë 8,7 persona të shëruar. Në Shqipëri janë 4 persona të shëruar për çdo person të vdekur.
Midis të sëmurëve ka edhe disa që janë në gjendje kritike. Në Greqi janë në gjendje kritike 6,2 % e rasteve pozitive aktive. Në Shqipëri janë në gjendje kritike 3,7 % e rasteve pozitive aktive.