Ndërkohë që numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 11 vetë dhe në total kemi 223 të prekur nga sëmundja në vend, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë sot edhe detaje rreth gjendjes së pacientëve që po trajtohen në Infektiv.
Në një komunikim për mediat, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico deklaroi se “në shërbimin Infektiv aktualisht janë 74 të shtruar. Prej tyre 7 janë në terapi intensive nga të cilët 4 janë të intubuar”.
Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
“Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi një pacient të shtruar”, tha Fico në raportimin e bërë sot.
Por, bashkë me këto të dhëna ka edhe një lajm të mirë, pasi kemi 4 të shëruar në 24 orët e fundit dhe deri tani kemi 44 të shëruar pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negativë.