Ish deputetja e PD-së Grida Duma, ka bërë apel për të gjithë qytetarët që të ndërgjegjësohen lidhur me situatën nga koronavirusi dhe të jenë të kujdesshëm.

Duke folur në një lidhje për Top Channel, Duma kërkoi gjithashtu që ministria të ketë një raportim më të shpeshtë se sa një herë në ditë.

“Duhet të qartësohemi që të gjithë që kjo nuk është aspak sakrificë e rëndë në raport me atë që do kishte qenë dëmi më i madh, që është jeta njerëzore dhe përgjegjësia për jetën e të tjerëve.

Informimi më transparent i bën më të ndergjegjshëm njerëzit, nuk ka asgjë përvecse mirë dhe e vërteta ndikon këdo të ndërgjegjësohet edhe sikur në një moment të caktuar të mendojmë se popullata mund të ketë frikë. Frika është mjet mbrojtës në këtë moment”.

Duma tregoi dhe se si po i kalon këto ditë kur i gjithë aktiviteti është ndaluar.

“Bej aq sa bëjnë të gjithë ata që janë paksa të informuar, vitamina C nëse merret nga portokalli, limoni apo si tablet, bën vecse mirë.

Nuk duhet ta lërë veten të ketë ftohtë, edhe në kushte normale sduhet të jemi të pakujdesshëm edhe kundrejt një gripi stinor. Më e rëndësishme të kuptosh që fëmijët të jenë më të kujdesshëm të lajnë duart, edhe nëse do dalin në hapësirën e përbashkët të pallatit. Se gjendja e të ndenjurit në shpi kur vjen nga kënaqësia është tjetër, kur vjen nga bllokimi krijon nervozizëm e agresivitet tek fëmijët.”