Donald Trump u përplas me gazetarët gjatë konferencës së tij të përditshme ku raportohet mbi situatën për koronavirusin, duke shkuar aq larg sa ta quante korrespondentin e NBC News Peter Alexander një “reporter të tmerrshëm”.

Shumë gazetarë të tjerë mbajtën anën e kolegut të tyre duke e fokusuar më tepër konferencën tek marrëdhëniet e tyre të çala me presidentin, sesa tek vetë pandemia.

Shkëndijat nisën kur Alexander e pyeti Trumpin nëse “impulsi i tij për t`i dhënë gjërave një frymë pozitive” mund t’u krijojë në fakt amerikanëve shpresa të rreme “ në mesin e shpërthimit të sëmundjes.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se kishte një ndjesi të mirë mbi zgjidhjet për të cilat po punojnë ekspertët e FDA. “Le të shohim se çfarë do të ndodhë, nuk kemi asgjë për të humbur,” tha Trump. Por Alexandër vazhdoi të pyeste:

“Po çfarë keni për t`ju thënë amerikanëve që janë të frikësuar”. Aty Trumpi nuk u përmbajt e ia ktheu: “Unë them se ju jeni një reporter i tmerrshëm, ja cfarë them”, e shtoi “ Tju vijë turp nga vetja”, përpara se t`i përgjigjej gazetarit tjetër.

Reporterë të tjerë në sallë u bashkuan me Alexandër duke bërë pyetje që e nxehën presidentin, i cili në fund u shpreh se kjo është “ koha për t`u bashkuar”, por “ reporterë të pandershëm” e bënin të vështirë sipas tij një gjë të tillë.