Gazetari Sokol Balla ka zbuluar në “Real Story” në News24 se analisti Fatos Lubonja është mbyllur në shtëpi. Kjo për shkak të kthimit nga Italia rreth dy javë më parë. Për të ditur më shumë për karantinimin, të cilit duhet t’i nënshtrohen personat që udhëzohen, Balla ka pyetur Drejtorin e Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, i cili ka sqaruar afatet dhe mënyrën e karantinimit.
Sokol Balla: Nga fjala e kryeministrit paradite dhe sot në mbrëmje, unë kam dhe ndonjë pyetje. Ka shumë njerëz që nuk e kanë të qartë si funksionon vetëkarantinimi që e kanë kërkuar autoritetet. Si vlen karantinimi. Pra çdo njeri që ka qenë jashtë kur dhe është kthyer kur?
Nuk besoj që Fatosi do ma marri për keq që po ia përdor rastin e tij. Zoti Lubonja i cili është kthyer para 13-14 ditësh nga Italia është mbyllur në shtëpi dhe kërkon të dijë si është e vërteta. Si funksionon çështja e vetëkarantimit, cilat janë afatet, si duhet të funksionojë?
Skënder Brataj: Vetëkarantinimi është përdorur që në momentin që ishte në Kinë infeksioni nga koronavirusi. Çdo person që vjen nga një zonë me transmetim komunitar, që në këtë moment është e gjithë Italia, Kina po ashtu dhe shtetet që janë me transmetim komunitar, hyn në Shqipëri, nuk ka shenja dhe simptoma, pra nuk ka sëmundje i këshillohet vetëkarantinimi. Të hyjë në banesën e vet, të izolohet, të ketë sa më pak lëvizje, ose gjërat e domosdoshme t’i ketë në banesën e vet, të zbatojë protokollin e higjienës, që do të thotë ajrim i mirë i banesës, higjienë, larje e duarve, dezinfektim i orendive, kompjuterit, tastierës, tavolinës, përdorimit të maskës.