Spanja ka regjistruar deri tani 1 326 vdekje nga koronavirusi, një rritje prej 32% nga një ditë më parë, tha sot Ministria spanjolle e Shëndetësisë.

”Numri i rasteve në të gjithë vendin është rritur me gati 25% që nga e premtja, nga 19 980 në 24 926”, shtoi ajo.

Përparimi 24-orësh nga e enjtja në të premte ishte 30% për numrin e vdekjeve dhe 16,5% për atë të rasteve të konfirmuara.

Rajoni i Madridit mbetet kryesisht më i prekuri, me 8 921 raste (pothuajse 36% të totalit), përpara Katalonjës (4 203), territoreve baske (1 725) dhe Andaluzisë (1 515).

Spanja është vendi i tretë që ka konfirmuar më shumë raste, pas Kinës dhe Italisë.

Që prej një jave, 46 milionë spanjollë nuk kanë të drejtë të largohen nga shtëpia e tyre përveçse të punojnë, të blejnë ushqime dhe ilaçe.