Asnjë spital privat nuk mund të bëjë analizën për diagnostikimin e koronavirusit. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore deklaroi sot se i vetmi laborator i certifikuar deri më tani për të bërë analizën dhe për të publikuar rezultatet është Institutin e Shëndetit Publik.

Pra, kjo agjenci thotë se nuk i ka dhënë leje asnjë spitali privat për të kryer analizat. Megjithatë, në Shqipëri ka spitale private që e kryejnë këtë analizë, që nga reagimi zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, qartazi lihet të kuptohet se analizat në spitale private po kryhen pa leje, pikërisht se nuk janë të certifikuar.

“Duke u bazuar në Ligjin Nr. 89/2014 “Për Pajisjet Mjekësore”; VKM Nr.89 datë 09.03.2016 “Për Kërkesat Thelbësore, Markimin CE dhe Vlerësimin e Konformitetit të Pajisje Mjekësore Diagnostikuese In Vitro”  si dhe në Urdhrin Nr. 734 datë 18.10.2018 “Për disa ndryshime në Urdhërin nr. 360 datë 22.08.2016 të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, “Mbi Procedurat dhe Rregullat për Regjistrimin e Pajisjeve Mjekësore Ndryshimet dhe Anulimin e Regjistrimit të tyre, Dokumentacionin e Nevojshëm dhe Kostot Përkatëse” i ndryshuar me Urdhër Nr. 734 datë 18.10.2018, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore deri më tani nuk ka lëshuar asnjë Certifikatë regjistrimi për Reagentët In Vitro për subjektet private, për diagnostikimin e COVID-19”, thuhet në reagimin e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Edhe shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP Silva Bino u shpreh një ditë më parë se deri tani është certifikuar vetëm laboratori në ISHP, ndërsa po punohet për dy të tjerë, në QSUT dhe te ‘Shefqet Ndroqi’ ndërsa për spitalet private theksoi se ende nuk asnjë vendim.