Në Fier, ashtu si në gjithë vendin, po zbatohen masa drastike kundër përhapjes së koronavirusit, ndërkohë që siç u shpreh kryebashkiaku Armando Subashi, “masat nuk merren për të penalizuar qytetarët ose biznesin, por për të mbrojtur jetën e tyre dhe të të gjithëve ne nga ky virus që po kërcënon çdo ditë e më shumë shqiptarët”.Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi informoi mbi disa prej masave parandaluese që janë marrë në këtë bashki.
“Bashkia Fier që në momentet e para mori menjëherë disa masa parandaluese. Krahas mbylljes së të gjitha institucioneve arsimore, qendrave komunitare; mbylljes së dyerve të shtëpisë së të moshuarve për vizitorët dhe vetëizolimin e banorëve të saj (të moshuarit), pezullimin e të gjitha aktiviteteve kulturore e sportive, e kemi marrë edhe një sërë masash”, tha Subashi. Ai theksoi se “është bërë pezullimi i lëvizjeve të të gjitha mjeteve të transportit rrugor të udhëtarëve, taksi 6+1 dhe 8+1, krahas pezullimit të mjeteve me kapacitet më të madh vendesh si furgona apo autobusa”.
“Kemi mbyllur të gjitha tregjet masive ditore të hapura e të mbyllura, të fruta perimeve, mallrave industriale dhe veshjeve deri në datën 23 prill 2020. Po ashtu, është bërë mbyllja e të gjitha bizneseve të shërbimeve, si bare, restorante etj”, tha ai. Subashi theksoi për ATSH-në se “të gjitha bizneset që kanë si objekt tregtimin e artikujve ushqimorë, fruta perimeve dhe bukë do të qëndrojnë të hapura për të ofruar shërbime për qytetarë, duke respektuar masat kundër përhapjes së COVID-19 si për dezinfektimin, ashtu edhe për numrin dhe largësinë e individëve brenda ambienteve të tyre”.
Ndërkohë, si theksoi se “puna jonë e përditshme mbetet dezinfektimi i të gjitha ambienteve publike si rrugë, parqe, lulishte, qendra komunitare, shkolla, kopshte, çerdhe etj”. “Kemi intensifikuar punën si qendrat urbane ashtu dhe në ato rurale. Kjo punë nuk bëhet vetëm një herë, por çdo ditë me disa grupe pune të shpërndara në të gjithë territorin e bashkisë”, tha Subashi. Nga ana tjetër, Subashi u shpreh se “nëpërmjet Policisë Bashkiake, Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, të mbështetura dhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier çdo ditë monitorohet zbatimi i masave të marra nga qeveria dhe bashkia Fier”.