Një i ri ka rënë në prangat e policisë së Elbasanit pasi theu rregullin për të qëndruar në banesë dhe kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë.
24-vjecari i identifikuar me inicialet M.Ll., u arrestua në flagrancë në lagjen ‘Vullnetari’ në Elbasan pasi policia vuri re që po lëvizte në këmbë.
Shërbimet e Policisë i kanë kërkuar arsyen e daljes në rrugë dhe të moszbatimit të orarit kufizues për të qëndruar në banesë, por 24-vjeçari nuk ka dhënë arsye dhe ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë së skuadrës “Shqiponjat”.
Punonjësit e policisë e kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe në përfundim të hetimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij.
I riu akuzohet për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.