Megjithëse është Dita e Verës, Tirana është bosh si kurrë më parë në këto 30 vite. Bulevardi është krejtësisht i shkretë dhe tek-tuk kalon ndonjë mjet i autorizuar për të lëvizur në këtë shtetrrethim të detyruar nga virusi i çmendur COVID-19. Gazetari Osman Stafa i vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, raportoi për “BalkanWeb” se ka pak qytetarë që dalin për pazare dhe kthehen sërish në shtëpi. Ndërkohë dyqanet, marketet ushqimore do të vazhdojnë të qëndrojnë të hapura me gjithë kufizimet e tjera të ndalimit dhe apeli i autoriteteve është që qytetarët të mos dynden në markete për të blerë.

Policia e ushtria qëndrojnë në postblloqe në pika të ndryshme për ndalimin e personave që thyejnë rregullat e vendosura për të minimizuar përhapjen e koronavirusit. Apeli është i njëjti, qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre