Hyrja e Kombinatit po transformohet çdo ditë e më shumë, duke u pajisur me infrastrukturë dhe sinjalistikë moderne. Pas rehabilitimit të hyrjeve nga Rruga e “Elbasanit”, Rruga e “Dibrës” dhe Rruga “Dritan Hoxha”, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e segmentit rrugor nga mbikalimi i “Shkollës Teknologjike” deri në Kombinat, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve në këtë aks të rëndësishëm. Edhe kjo rrugë ka në të dyja krahët korsi të dedikuara për biçikletat, çka do të jetë një shtysë edhe më shumë për përdorimin e dyrrotakëve si një alternativë lëvizëse, jo vetëm me më pak kosto, por edhe më e shëndetshme.

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, tashmë banorët e Kombinatit kanë mundësinë të lëviznin lirshëm në trotuaret e zgjeruara dhe të shfrytëzojnë hapësirat e dedikuara për ta. Gjatë ditëve të fundit, punonjësit e mirëmbajtjes në Bashkinë e Tiranës kanë vijuar punën për pajisjen e rrugëve mesinjalistikën përkatëse, si dhe rregullimin e elementëve të dëmtuar në disa rrugë të kryeqytetit. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës vijon projektet për përmirësimin e infrastrukturës edhe në nivel kapilar në lagje.