Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj deklaron se vendimi pozitiv i ministrave të BE për Shqipërinë për hapjen e bisedimeve është i varur nga dy faktorë. Në “Real Story” në News24, Cakaj tha se është metodologjia e re dhe raporti i KE-së që konfirmoi që Shqipëria i ka përmbushur kushtet.
“Ky vendim vjen si kombinimi i dy faktorëve, metodologjia e re që ka krijuar një klimë më pozitive për procesin e zgjerimit dhe faktori i dytë raporti i KE-së i cili për herën e tretë konfirmoi që Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme”, tha Cakaj.
Po si u arrit unanimiteti, si u bindë Franca dhe Holanda? Cakaj thotë se procedura e re anëtarësimit e ka bërë procesin më të kontrollueshëm politikisht. “Franca ka këkruar që vendet anëtare të kenë një kontroll më të lartë dhe të jetë një proces më politik në vendosjen e kushteve por përveç këtyre faktor tjetër është dhe rritja e rezultateve nga Shqipëria. Reforma në drejtësi, ngritja e trupave të reja të gjyqësorit dhe rritja e luftës kundër krimit të organziuar dhe korrupsionit”, u shpreh ai.
“Diskutimet në nivel të ambasadorëve apo të ministrave të jashtëm mbesin të tilla deri në momentin kur paraqiten në konkluzionet e Këshillit. Kur paraqiten në konkluzione nuk janë më kërkesa të vendeve por të BE-së. Ne kemi pakon e kushteve dhe nuk duhen lexuar si kushte të imponuara nga vende të veçanta”, deklaroi ai.
I pyetur për kushtet shtesë, Cakaj theksoi se nuk bëhet fjalë për kushte shtesë por zgjerim të prioriteteve të angazhimeve. “Të gjitha ato elemente që janë paraqitur janë pjesë e platformës së prezantuar për Shqipërinë në rrugën europiane. Bëhet fjalë për një detajizim.
Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, ndonëse është formulim i ri, mund të situohet brenda angazhimeve të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar”, tha Cakaj.