Nga Glindxhet Madhi/
Virusi si edhe idetë, librat, muzika, politika, etj., ka një mundësi të jetë në të njejtën kohë dhe mënyrë në të gjithë botën. Është e pashmangshme, sepse marrëdhëniet mes vetes, për njerëzit janë forma e vetme e zhvillimit të mëtejshëm.
Qëlloi që këto kohë të përballemi me virusin COVID-19 edhe është e njëjta sfidë pothuajse kudo me në qendër njeriun.
Përhapja në më shumë se 100 vende të botës e bën atë globale e nga ana tjetër masat shtrënguese të qeverive kanë për qëllim ndalimin e qarkullimit mes shteteve e më shumë akoma mes njerëzve duke ndaluar tubimet, hapësirat publike dhe duke këshilluar fort qëndrimin në shtëpi deri në normalizimin e situatës. Qartësisht, luftë e njeriut me virusin.
Izolimi në shtëpi, në fakt është një dritare e hapur me të gjithë botën për të parë sa ngjajmë kur problemin e kemi bashkë.
Këto ditë, ato të cilat globalizmi si teori i tregon, kemi patur mundesinë t’i vendosim në praktikë. Pavaresisht nga ndryshimet, njeriu në thelb është i njëjtë dhe luftën do ta bëjë njesoj si në Shqipëri ashtu edhe në Kinë.
Është e pashmangshme njëtrajtshmëria e sjelljes në të tilla rrethana dhe imagjinoni se si bota do të sillej sikur në të njëjtën kohë të kishte të njëjtën sfidë.
Në rast se të gjithë do te ishin emigrantë, të gjithë do të donin të kishin mbeshtetje dhe do kërkonin ndihmë. Por qëllon që sot bota ka vetëm një pjesë emigrantë dhe problemi i mirëqënies së tyre mbetet vetëm i tyre.
Ka sëmundje të tjera, të cilat nuk janë të përhapura në të gjithë botën, por kushtojnë shumë për dikë dhe pamundesia për tu kuruar është problem i tyre jo i pjesës tjetër të botës.
Ka tema të tjera në botë të cilat nëse në do të perfshiheshin të gjithë njerëzi, vendimarrësit, politikanët dhe kush ka ne dorë fatet e globit, do silleshin ndryshe.
Nuk e di nëse duhet të ketë me patjetër ajër të ndotur ne ballkonin apo oborrin e shtëpisë së Trump, që ky i fundit ta pranojë marrëveshjen e gjelber, kaq shumë të rëndësishme për tokën.
Të menduarit globalisht, por të vepruarit lokalisht është mënyra më aktuale e veprimit. Në marrjen e vendimeve, përgjegjshmëri për të përbashktën dhe gjithëpërfshirje për këdo ndryshe dhe larg nesh.
Izolimi këto kohë, na bën të kuptojmë qartë që e ardhmja i përket njeriut që bashkepunon me njeriun, herët ose vonë muret e larta të oborreve do zëvendësohen me kangjella të cilët e mundesojnë pamjen përtej vetes dhe asaj ç’ka është e jona, vetëm e jona.
I përket publikes dhe përmirësimit të saj, si e vetmja formë njerëzore për zhvillim të qëndrueshëm.
Vendet skandinave, janë shembulli më i përafërt i mirëqenies së përbashkët, ku askush nuk mbetet pas në shoqeri për shkak te mungesës së drejtesisë sociale.
Në shtëpi, nuk jam ndjerë kurrë më shumë se këto ditë si një qytetar i botës, ku zgjidhjen po presim ta gjejmë njesoj në Tiranë si në Prishtinë, Athinë, Paris, Madrid, Romë, Milano, Pekin a Wuhan.