Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, kryeministri Edi Rama urdhëroi mbylljen e kafeneve dhe restoranteve në të gjithë vendin,

Në aktin normativ, i cili ka hyrë në fuqi disa ditë më parë, të gjitha subjektet që thyejnë urdhërin gjobiten më 100 mijë lekë të reja.

Kjo gjë i ka ndodhur edhe pronarëve të një kafeneje në Tiranë, të cilët nuk zbatuan urdhërin.

Ata vijonin punën fshehurazi, por janë kapur në flagrancë nga policia.

Pamjet ndërkohë janë siguruar nga “Report Tv”.

Njëri prej pronarëve ishte fshehur në tualet, ndërsa tjetri pas perdes te banaku.

Në momentin kur kanë shkuar për kontroll forcat e policisë, qepeni i lokalit ishte gjysmë i hapur.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë gjobitur 15 subjekte, të cilat vijonin punën.

Numri i të prekurve nga COVID-19 në vendin tonë ka shkuar në 23.

Gjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar 19 raste të reja nga 74 teste të kryera.

Harta e të prekurve është zgjeruar në Lezhë, Has dhe Berat, ndërsa në disa qytete është dyfishuar numri i të prekurve.

Për momentin në spitalin infektiv ndodhen 79 pacientë, 2 prej tyre në gjendje më të rëndë.

Pjesa tjetër ndodhen në pavion, në gjendje të stabilizuar shëndetësore.