Shoqatat bamirëse janë bërë bashkë me institucionet shtetërore për tu ardhur në ndihmë familjeve me kryefamiljar pensionistët apo ato me nevoja ekonomike. “Fundjavë Ndryshe” i është bashkuar angazhimit të emergjencave civile për të grumbulluar sa më shumë pako ushqimore, të cilat tashmë kanë nisur edhe shpërndarjen në bashki të ndryshme.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe drejtuesi i organizatës “Fundjavë Ndryshe” Arbër Hajdari, teksa ishin të pranishëm në mjediset e Rezervave të Shtetit, bënë thirrje për sa më shumë bashkëpunim dhe solidaritet në këtë periudhë kur Shqipëria ndodhet nën masa të forta izoluese, për shkak të prekjes nga Covid 19.

“Në rradhë të parë unë dua të shpreh mirënjohjen maksimale për Arbrin dhe për të gjithë këta të rinj dhe të reja që bëjnë një punë të jashtëzakonshme duke u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë në këtë situatë lufte mirëfilli do të thosha. Bashkëpunime të tilla janë shumë të vlefshme pasi është shumë e rëndësishme që në momente si këto të bëjmë bashkë forcat për tu ardhur në ndihmë sa më shumë familjeve, të cilat ne i kemi identifikuar që do të jenë ato me ndihmë ekonomike, ato në kushte më të vështira sot, edhe për shkak të distancimit social apo vetizolimit aq të domosdoshëm për ta përballuar këtë situatë, por edhe të gjithë atyre pensionistëve që në fakt janë fasha më e rrezikuar nga ky virus, të cilët absolutisht duhet të qëndrojnë të vetizoluar dhe ne, familjet e tyre, fëmijët e tyre, por edhe bamirësit, pra të gjithë bashkë duhet tu vimë në ndihmë me shpenzimet, me nevojat e tyre jetike, për të mos dalë nga shtëpia dhe për ta kaluar të gjithë bashkë këtë situatë të vështirë”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe” kërkoi bashkëpunim edhe nga biznese të ndryshme.“Unë mendoj që ky është një moment që të gjithë të jemi bashkë, qoftë shteti, qoftë organizatat bamirëse, qoftë biznese të ndryshme që mund të ndihmojnë. Është një proces shumë delikat, shumë i nevojshëm. Ndoshta është akoma më i rrezikshëm se tërmeti, sepse u munduam ta përballojmë tërmetin, por ky është një izolim i plotë i njerëzve dhe përderisa i kërkojmë njerëzve të izolohen, duhet edhe tu shërbejmë.

Dhe ndaj duhet një koordinim edhe me shtetin për ndarjen e ndihmave në mënyrë që ndihmat të shkojnë atje ku duhet, të shkojnë tek njerëzit që janë në nevojë fillimisht, tek njerëzit që ne i kemi nëpër çadra apo nëpër grupet vulnerabël apo moshat e treta”, u shpreh Hajdari.
Pakot me ndihma ushqimore dhe detergjente janë mbledhur në mjediset e Rezervave të Shtetit dhe janë duke u shpërndarë në në bashkitë e vendit, duke filluar nga ato zona, të cilat u prekën edhe nga tërmeti i 26 nëntorit.