Mesfushori i Aston Villas, Jack Graelish, ka kërkuar falje dhe është gjobitur nga klubi i tij, pasi që i theu rregullat e vetizolimit, të vendosura nga qeveria britanike shkaku i përhapjes së koronavirusit.
24-vjeçari zbuloi se kishte dalë nga shtëpia për t’u takuar me një shok të tij gjatë fundjavës, përkundër që ishte udhëzuar të qëndronte në shtëpi, në mënyrë që të parandalohet përhapja edhe më e madhe e virusit, transmeton Gazeta Express.
“Përshëndetje të gjithë, unë po e xhiroj këtë mesazh vetëm për të thënë se jam thellësisht i turpëruar nga ajo që ndodhi këtë fundjavë”, ka thënë Graelish, në një video të postuar në rrjetet sociale.
“Unë e di që është kohë e vështirë për të gjithë për momentin, të jesh i izoluar brenda për kaq gjatë. Mua më telefonoi një shok dhe më ofroi të shkoj te shtëpia e tij dhe unë, si budalla, pranova”. Nuk dua që askush ta bëjë gabimin që e bëra unë. Unë me të vërtetë dua të qëndroj në shtëpi dhe t’i ndjek rregullat dhe udhëzimet të cilat na janë dhënë”.
“Shpresoj që të gjithë do ta pranojnë kërkimfaljen time dhe ne mund të ecim përpara nga kjo dhe shpresoj që në të ardhmen e afërt të gjithë do të mundë të dalim dhe ta shijojmë jetën, sapo të ketë përfunduar kjo”.
Klubi doli me deklaratë gjithashtu, duke thënë se klubi është shumë i zhgënjyer nga incidenti dhe e konfirmoi se 24-vjeçari do të gjobitej për sjelljen e tij, përderisa paratë që do të paguhen nga futbollisti do të dhurohen për bamirësi.