Paolo Maldini ka 25 trofe në palmaresin e tij: 7 tituj të Serie A, 5 Champions (vetëm Gento me 6 e tejkalon atë), 2 Kupa Interkontinentale, 1 Botëror për Klubet… Sidoqoftë, ai nuk harron të gjitha finalet që i shpëtuan nga duart. gjatë gjithë karrierës si futbollist.
“Unë jam lojtari më humbës në histori. Dhe e shpjegoj këtë përse. Fitova shumë, por humba tri finale të Champions-it, një Superkupë Europiane, tri finale të Kupës Interkontinentale, një finale të Kupës së Botës, një të Kampionatit Europian, një gjysmëfinale të Kupës së Botës, një tjetër të Europianit U-21 dhe kjo listë mund të vazhdojë…”, – tha Maldini në një “live” në Instagram me Christian Vieri.
Fjalët e legjendës kuqezi na ftojnë reflektim, për të treguar se cilët janë 10 fituesit e tjerë më “humbës” të futbollit botëror. Ata kanë bërë historinë, kanë një rekord të lakmueshëm triumfesh, por në shumë finale nuk kanë patur fat. Këtu është renditja jonë e veçantë:
Patrice Evra
Ai ka fituar tituj kudo ku ka shkuar, në nivel klubesh: Monako, Manchester United, Juventus. Gjithsej, 21 trofe. Mbrojtësi i majtë, tashmë në pension, mban, megjithatë, një rekord negativ në “fletoren” e tij të rekordeve. Evra është futbollisti që ka humbur më shumë finale të Ligës së Kampionëve në histori (4), përpara Davids, Del Piero, Maldini, Montero, Tacchinardi dhe Van de Sar. Ai e humbi të parën me Monaco, kundër Portos së José Mourinho më 2004 dhe tri të tjerat kundër Barcelonës, dy me Manchester United (2009 dhe 2011) dhe një me Juventusin (2015). Ai, gjithashtu, humbi finalen e “Euro 2016” kundër Portugalisë.
Arjen Robben
Një tjetër futbollist, që ka fituar tituj kudo. Rruga e tij ka kaluar përmes PSV Eindhoven, Chelsea, Real Madrid dhe Bayern Munich, ku pothuajse gjithmonë ka fituar dhe ka qenë vendimtar. Robben ka humbur, megjithatë, gjashtë finale: dy në Ligën e Kampionëve, tri në Superkupë dhe një në Kupën e Botës 2010. Tri dështimet e para i faturuan atij një reputacion si humbës. Bayerni dështoi ndaj Interit në finalen e Ligës së Kampionëve 2010 dhe më pas ra ndaj Chelsea, duke luajtur si mikpritës, në vitin 2012, me penallti. Në imagjinatë, hollandezi ka edhe dështimin përballë Casillas, në finalen e Kupës së Botës 2010. Hakmarrja e tij e veçantë erdhi me golin, që i dha Ligën e Kampionëve, në vitin 2013. Bayern mposhti Borussia Dortmund (1-2), me golin e Rooben në minutën e 89-të.
Michael Ballack
13 tituj, një numër i mallkuar për bestytnitë, shënjojnë rekordin e një futbollisti, që filloi ta fitonte famën e tij si lider më 2002. Atë vit humbi gjithçka, në fakt, hoqi dorë nga Bundesliga me Leverkusen, javën e fundit; humbi finalen e Kupës së Gjermanisë kundër Schalke; finalen e Champions-it kundër Real Madridit dhe finalen e Kupës së Botës kundër Brazilit. E tmerrshme! Ajo famë e humbësit do ta shoqëronte tashmë ish-lojtarin e Kaiserslautern, Leverkusen, Bayern dhe Chelsea gjatë gjithë karrierës së tij. Ballack humbi gjithsej gjashtë finale. Një tjetër vit të zi përjetoi më 2008. Ai humbi finalen e Europianit kundër Spanjës (1-0), falë golit të Torres, dhe finale e Champions-it, me penallti, kundër Manchester United.
Héctor Cúper
Argjentinasi është trajneri i vetëm që paraqitet në këtë listë. Cúper fitoi një Kupë CONMEBOL me Lanús më 1996, një Superkupë Spanjolle me Mallorca në vitin 1998 dhe një tjetër me Valencia, më 1999. Gjatë rrugës, megjithatë, ka dështuar në gjashtë finale. Si trajner i Mallorca, ai humbi finalen e Kupës së Mbretit më 1998, me penallti, ndaj Barcelona; dhe finalen e “Recopa” të vitit 1999, kundër Lazio. Me Valencia, fati i tij ishte edhe më mizor. Ai ra në dy finale të Champions-it me radhë: 3-0 ndaj Real Madridin (1999) dhe kundër Bayern Munich, me penallti (1-1), vitin e ardhshëm. Përveç kësaj, Cuper hoqi dorë nga një “Scudetto”, që e kishte në duar me Interin më 2003. Po ashtu, finalen e Kupës së Greqisë me Aris, në vitin 2010, dhe finalen e Kupës Afrikane me Egjiptin, më 2017.
Del Piero
Ai ishte, së bashku me Zidane, ikona e shkëlqyer e Juventusit të mesviteve 1990. Fitoi 15 tituj me “Zonjën e Vjetër”, të cilën e shpëtoi nga “ferri” i Serie B, pas “Moggigate”, më 2007. “Ale”, megjithatë, ka edhe “vulën” e tij të zezë në Ligën e Kampionëve. Ai fitoi një finale, më 1996, kundër Ajax, me penallti, por më pas humbi tri të tjera: me Borussia Dortmund (3-1), më 1997; me Real Madridin (1-0), më 1998; dhe me Milanin, me penallti, më 2003. Sigurisht, me Italinë mund të mburret se ka fituar Kupën e Botës 2006, me një performancë kryesore gjatë kohës shtesë, kundër Gjermanisë.
Lothar Matthaus
Deri në 26 tituj e përfshijnë “Topin e Artë” të vitit 1990. Një futbollist “i përjetshëm”, që mori pjesë në pesë Kupa Bote, një rekord që e ndan me Carbajal dhe Marquez. Ai mbrojti ngjyrat e Borussia Mönchengladbach, Bayern Munich, Inter dhe MetroStars. Shpërthimi i tij erdhi me pushtimin e Kupës së Botës 1990, teksa 10 vite më parë kishte fituar Europianin me Gjermaninë. Më parë, po ai kishte humbur dy finale të Botërorit. Lothar ishte pjesë e “Mannschaft”, që ra kundër Italisë (3-1), në vitin 1982 (nuk luajti në finale), dhe kundër Argjentinës së Maradonës (3-2), më 1986. Në nivelin e klubit, Matthaus humbi finalen e Kupës UEFA kundër Eintracht Frankfurt, si lojtar i Gladbach. Më tej, ai do të hiqte dorë nga dy finale të Ligës së Kampionëve: kundër Porto (2-1), më 1987, dhe kundër Manchester United (2-1), me dy gola të shënuar nga Sheringham (91′) dhe Solskjaer (93′), në total! E tmerrshme!
Gonzalo Higuaín
“El Pipita”, gjithashtu, ka një rekord të lakmueshëm. Ai fitoi tre tituj kampioni kombëtarë, një Kupë dhe dy Superupa me Real Madridin; Kupën e Italisë dhe Superkupën e këtij vendi me Napolin. Po ashtu, ka edhe dy tituj e dy Kupa të Italisë me Juventusin. Fitoi edhe një “Europa League” me Chelsea. Finalet, megjithatë, nuk janë “specialitet” i tij. Ai ka humbur pesë të tilla. Me Argjentinën ra në finalen e Kupës së Botës 2014, si dhe në finalet e “Copa America”, më 2015 dhe 2016. Përveç kësaj, humbi finalen e Champions-it 2017, duke qenë tashmë një lojtar i Juventusit, kundër “Realit të tij” (4-1), si dhe finalen e Kupës së Ligës (2018-2019) me Chelsea. Përveç kësaj, argjentinasi nuk ka arritur të shënojë në asnjërën prej atyre finaleve, ku ka marrë pjesë. Në Argjentinë, në të vërtetë, e kryqëzojnë për goditjen e gabuar me kokë kundër Neuer, më 2014, si dhe penalltinë e humbur kundër Kilit në raundin fatlum të 2015-ës.
Gianluigi Buffon
Rekordi i një prej portierëve më të mirë në histori është i larë me ar. Ai ka fituar 23 tituj midis Parmës, Juventusit dhe PSG. Po kështu, ka fituar katër tituj të tjerë me Italinë: Euro U-21, Kampionati Europian, Lojëra Mesdhetare dhe Kupa e Botës 2006. Buffon ka triumfuar në të gjithë ligat, kupat, superkupat kombëtare, ku ka luajtur, përveçse Champions-it. Duke kërkuar për “Kupën Veshëgjatë”, ai shkoi te PSG, por nuk ia doli. Gigi ka humbur tri finale të Champions-it. Ai dështoi me penallti kundër Milanit, më 2003, kundër Barcelonës më 2015 (3-1) dhe kundër Real Madridit (4-1), në edicionin 2016-2017. Buffon u gjunjëzua, përveç këtyre, edhe në finalen e Kupës Franceze (2018-2019) kundër Rennes (2-2), me penallti, dhe në finalen e Kupës së Italisë (2002) me Parmën. Duhet kujtuar se “gardiani” i shquar italian humbi edhe finalen e “Euro 2012” përballë Spanjës.
Antony de Ávila
Historia e “The Smurf” është e jashtëzakonshme. Ai është, me 29 gola, shënuesi më i mirë i ”Copa Libertadores”, një turne që, megjithatë, gjithmonë i ka kthyer shpinën. Ky futbollist doli në pension në moshën 47 vjeç! De Ávila fitoi 9 tituj kampioni kombëtar midis América de Cali (8) dhe Barcelona de Guayaquil (1), por kurrë nuk arriti të kurorëzohej “mbreti i Amerikës”. Ai humbi finalen e vitit 1985 të Libertadores me penallti kundër Argentinos Juniors, finalen e vitit 1986 kundër River Plate (3-1), finalen e vitit 1987, në minutën e 120-të të kohës shtesë, kundër Peñarol (1-0), finalen e vitit 1995 kundër Gremio.