Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, falenderon Presidentin e Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe, Al Jarwan, për dhurimin Shqipërisë të 10 mijë maskave kirurgjikale.

Ruçi, ka marrë këto ditë një letër nga Presidenti i Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe, Al Jarwan, i cili bën të ditur dhurimin nga ana e këtij Këshilli të 10 mijë maskave kirurgjikale për mjekët dhe institucionet shëndetësore të Shqipërisë.

Në përgjigjen drejtuar Presidentit të Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe, Al Jarwan, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, midis të tjerash falënderon nga zemra për letrën e datës 15 prill, në të cilën thekson ai, “shprehni simpatinë e thellë, solidaritetin e sinqertë, mbështetjen për mjekët në vijën e parë të betejës si edhe ngushëllimet për humbjen e jetëve njerëzore prej koronavirusit, në këto kohë të vështira, kur popujt e të gjithë planetit janë përfshirë në luftën për mbrojtjen e jetëve njerëzore prej pandemisë së COVID-19”.

“Qeveria dhe institucionet e Shqipërisë kanë marrë dhe po zbatojnë masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe shpëtimin e jetëve njerëzore dhe, si rezultat i këtyre masave dhe i mbështetjes e solidaritetit të qytetarëve shqiptarë, humbjet e jetëve njerëzore kanë qenë të pakta, por ekonomia e vendit, ashtu si edhe ekonomia e vendeve të tjera, është goditur rëndë”, shton Ruçi.

“Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e Shqipërisë nuk e kanë ndërprerë asnjë çast funksionimin dhe veprimtarinë e tyre në shërbim të qytetarëve, mbrojtjes së jetëve të tyre dhe rigjallërimin e ekonomisë. Komisionet parlamentare të Kuvendit kanë vazhduar të funksionojnë rregullisht online, ndërsa seancat plenare po zhvillohen me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve, duke zbatuar standardet e distancimit social dhe masat e tjera mbrojtëse”, nënvizon Ruçi.

“Ne, shqiptarët, ndjekim me vëmendje betejën e mjekëve, qeverive, institucioneve dhe popujve kundër këtij rreziku dhe gëzohemi për mbrojtjen e shpëtimin e çdo jete njerëzore. Letra Juaj dëshmon se në luftën kundër COVID-19 asnjë vend nuk është i vetëm, por ka mbështetjen e solidaritetin e gjithë njerëzimit. Të gjithë dëshirojmë me gjithë shpirt që e keqja të ndalet sa më shpejt dhe të gjithë popujt e botës t’u kthehen jetës normale dhe gëzimeve të saj”, thekson Ruçi.

Ruçi vlerëson si një mbështetje të madhe në luftën kundër koronavirusit ngritjen e Task Forcës së Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe, për të mbështetur zbatimin e masave mbrojtëse prej pandemisë, në vendet e prekura si edhe në kontekstin global.

“Shpreh mirënjohjen e thellë të Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personale për dhurimin prëj Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe të 10 mijë maskave kirurgjikale, të cilat janë një mbështetje e madhe për mjekët, infermierët dhe profesionistët e mjekësisë që janë në vijën e parë të betejës kundër koronavirusit. Populli shqiptar nuk do ta harrojë kurrë këtë ndihmë”, thekson Ruçi.