Pëllumb Pipero, është padyshim figura simbol e luftës me Covid-19 në Shqipëri. Prej javësh, mjeku i infektivit ka shërbyer i palodhur jo vetëm pranë pacientëve por edhe me përgjigjet e çdo pyetje që qytetaret kanë lidhur me situatën duke vënë në dispozicion profilin e tij si dhe numrin personal.
Në një intervistë ekskluzive për AlpeNews.al, Pipero i përgjigjet 10 pyetjeve; nga vështirësitë e momentit si mjek e deri tek veprimi i parë që do të bëjë sapo kjo luftë të mbarojë.
E plotë
1. Momenti më i mirë i këtyre ditëve, më i gëzueshmi?
Momenti kur nxjerim të sëmurë të shëruar nga spitali, veçanërisht çifti i të moshuarve nga Korça!
2. Momenti më i veshtire?
Humbja e një jete!
3. Sa orë në ditë ke fjetur mesatarisht në këtë periudhë?
Jo më shumë se 3-4 orë, dhe ato jo të plota. Na zgjon shpesh zilja e telefonit.
4. Sa ore pa nderprerje ka qenë dita më e gjate e punes në periudhen e pandemise?
Nuk jua them dot, orët duken më të gjata se dita, e veshtirë sidomos vizita e pacienteve në pavjon. I mundon dhe tremb shume vetmia, mungesa e familjareve, e pazakontë kjo për ne shqiptaret. Mundohemi t’jua zëvëndesojmë sado pak, qoftë duke ju perkedhelur edhe dorën ndonjeherë. Ata duan një fjale të ngrohtë, një fjalë që tju trembi friken dhe t’ju kthejë shpresën. Këtë nuk e imagjinon dot kurrë dikush që nuk ka hyre aty asnjehere.
5. Cfare te mungon me shume kete kohe?
Mbesa ime, Mila, më kërkon çdo ditë duke më thënë “o xhyshi, po mua më mori malli shume, une dua të fle me ty” dhe une që deri dje i thosha do vi nesër, dhe shkoja, sot më duket vetja sikur jam në një planet tjetër.
6. Këngë dhe një pice me emrin Pellumb Pipero. Si i keni përjetuar?
Në moshen time njerezit kanë nevoje edhe per nje fjalë të ngrohte, imagjino si e ndjen veten kur të dedikojnë një kenge, apo të ofrojne dhe një picë me emrin tend. Më erdhi mirë!
7. Tërmeti pati simbol Luljeta Bozon, Covid 19 duket se ka Pellumb Piperon. E prisje?
Jo nuk e prisja, por erdhi natyrshëm. Erdhi mendoj si meritë e stafit mjekesor të sherbimit të semundjeve infektive brenda dhe jashtë mureve të spitalit, sa te shtrati i të semurit po aq dhe në media për të keshilluar qytetaret.
8. Nga 1 në 10 sa e vështirë është realisht situata e koronavirusit në Shqipëri?
Shumë e veshtirë, jo nga numrat, por nga të panjohurat. Nuk jemi ende as në gjysmën e pjesës më të vështirë të ecurisë së saj në vendin tonë. Falë masave shtrënguese të qeverisë, asaj që quhet distancim social, pavarësisht reagimit të qytetarëve jo aq sa duhet, nuk e kemi paguar shtrenjtë. Por nëse qytetarët, veçanërisht pensionistët, nuk qëndrojnë në shtëpi, kostoja do jetë shume e lartë.
9. A ke kaluar periudhë profesionale më të veshtirë se kjo e tanishmja?
Kurrë. Jo vetëm unë por te gjithë kolegët e mi kudo qofshin. Madje do të thosha se në shumë aspekte i ngjan Gripit Spanjoll të vitit 1918, 100 vjet më pas.
10. Ç’do doje të bëje ditën e parë që të mbarojë kjo luftë?
Do shkoja të takoja Milen dhe Enean, mbesën dhe nipin dhe do harrohesha me ata ca ditë, të harroja dhe pandemine gjithashtu, por jo mësimet e nxjera prej saj, të cilat nuk vlejnë vetëm për mua dhe ne mjekët, por në radhë të parë e mbi të gjitha për politikbëreëit e mbarë botës.
AlpeNews.AL