Nga Eduard Zaloshnja/
Shumë krahasime ndërshtetërore bëhen në media kudo në botë, në lidhje me shkallën e infeksionit nga koronavirusi aktual.
Por ato bazohen në të dhënat mbi rastet e konfirmuara në çdo vend, të cilat, nga ana e tyre, varen nga shkalla e ekstensivitetit të testimit. Sa më ekstensiv të jetë testimi, aq më shumë raste të infektuarish (me simptoma të rënda, të lehta, apo pa simptoma) kapen nga sistemi shëndetësor.
Fjala vjen, në qoftë se kryhen 98 teste për 1 mijë banorë (si në Ishujt Faroe), apo 69 teste për 1 mijë banorë (si në Islandë), apo 23 teste për 1 mijë banorë (si në Barhein), probabiliteti që të konfirmohen raste pozitive është më i madh se sa në SHBA, ku janë kryer deri më sot vetëm 4 teste për 1 mijë banorë.
Ndërkohë, numri i të sëmurëve rëndë/kritikë (që trajtohen me respirator/intubim) nuk varet nga ekspansiviteti i testimit. Kush ka nevojë për respirator/intubim dërgohet urgjent në spital dhe evidentohet/raportohet si nga organet shtetërore, ashtu edhe nga ato mediatike. Si rrjedhojë, krahasimet ndërshtetërore të këtyre rasteve të rënda kanë vlerë statistikore, për të analizuar shkallën e morbiditetit të COVID-19 në vende të ndryshme.
Për datën 4 prill, listën e vendeve me morbiditet aktual akut (të sëmurë rëndë/kritikë) nga COVID-19 e kryeson Spanja, që ka sot 137 pacientë në respirator/intubim për milion banorë. Në vendin e 15-të ndodhet SHBA, me 18 pacientë në respirator/intubim për milion banorë (shtetet mikroskopike si San Marino, Vatikani etj. nuk janë përfshirë në këtë renditje).
Në Ballkan, listën e morbiditetit aktual akut e kryeson Serbia, që ka sot 10 pacientë në respirator/intubim për milion banorë. Shqipëria ka shkallën më të ulët të morbiditetit aktual akut në Ballkan (përveç Bosnjës), me 3 pacientë në respirator/intubim për milionë banorë.