200 kaska mbrojtëse iu dorëzuan sot Spitalit rajonal të Elbasanit për të garantuar mbrojtje maksimale për mjekë e infermierë, fronti i parë, në përballje direkte me Covid 19.
Kompania A-Vizion, së bashku me miq që kanë financuar materialet, ka prodhuar këto kaska profesionale, të cilat po i shpërndan falas në të gjitha spitalet e vendit, por edhe për punonjësëit e Policisë së Shtetit.
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla shoqëroi drejtuesit e kësaj kompanie gjatë dorëzimit të 200 kaskave në spitalin e Elbasanit.
“Falenderoj A-Vizion për prodhimin e këtyre kaskave, një produkt që duket i thjeshtë, por në fakt është i vështirë, për shkak edhe të materialeve cilësore që përdoren, për të garantuar mbrojtje maksimale për ata që sot janë në vijën e parë të frontit, mjekë e infermierë. Ajo që doja të theksoja më tej, nuk lidhet vetëm me spitalin, por me zinxhirin ekonomik të vendit”, tha ia.
“Fakti që një kompani shqiptare, arrin të prodhojë një produkt, i cili është pjesë e atyre mallrave që ne po importojmë, tregon sesa e rëndësishme është mbajtja gjallë e zinxhirit ekonomik të vendit. Mesazhi im nga Elbasani është që: Çdo mall i prodhuar në Shqipëri, duhet të vazhdojë të prodhohet, sepse kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë në kuadër të ruajtjes së ekonomisë së vendit tonë. Falenderoj A-Vizion që i solli këto materiale në spitalin e Elbasanit ndërkohë që e nxis të vazhdojë t’i prodhojë falas dhe për disa spitale të tjera dhe për Policinë e Shtetit”, u shpreh ai.
Për drejtuesin e kësaj kompanie, Alban Kardashi, ky është kontributi që ata mund të jepnin në këto momente të vështira që po kalon e gjithë bota. Ata zgjodhën që këtë kontribut ta bëjnë falas në mbrojtje të jetës dhe të bluzave të bardha:
“Kjo nuk është ide e imja, por një ide globale. Ka filluar si lëvizje në të gjithë botën. Kush ka studio me pajisje 3D apo me freza dhe pajisje lazer kanë filluar të ndihmojnë në të gjithë botën, ku me pagesë dhe ku pa pagesë. Ne, falë ndihmës së miqve që po paguajnë materialet, zgjodhëm ta bëjmë pa pagesë për të gjithë mjekët. Deri tani kemi prodhuar 500 copë të cilat janë shpërndarë në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, Shkodër, Sarandë dhe Kavajë”, u shpreh ai.
Drejtoresha e spitalit të Elbasanit Desantila Tahiraj vlerësoi kontributin e kompanisë A-Vizion dukë bërë thirrje që, sot më shumë se kurrë, të gjithë duhet të jemi bashkë e të japim kontributin tonë:
“Në kuadër të punës që po bëhet nga spitalet për t’u ofruar shërbim të gjithë njerëzve në nevojë, por edhe për të mbrojtur shëndetin e bluzave të bardha përdoren të gjitha mjetet mbrojtëse dhe unë e falenderoj A Vizion”, tha ajo
Deri tani A-Vizion ka prodhuar 500 kaska mbrojtëse të cilat janë shpërndarë në disa spitale të vendit, ndërkohë që puna do të vijojë. të gjithë masat e marra synojnë parandalimin e përhapjes së Covid 19 dhe mbrojtjen e jetëve njerëzore.