1197 fëmijë e nxënës në Kurbin do të kenë mundësi të studiojnë në mjedise arsimore totalisht të rinovuara e me kushtet më bashkëkohore.
Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara deklaroi se 5 shkolla e kopshte të Kurbinit janë pjesë e programit të financimit të Bashkimit Europian, i cili do të zbatohet nga UNDP Albania.
22 shkolla të dëmtuara ose të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të rindërtohen dhe rehabilitohen falë programit 15 milionë euro “BE për shkollat” .
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca nënshkroi 2 ditë më parë në Tiranë kontratën me përfaqësuesen e përhershme të UNDP, Limya Eltayeb.
7 500 fëmijë dhe adoleshentë nga zonat e prekura do të përfitojnë nga ky program.
“Rindërtimi i shkollave sjell shpresë dhe rikthen ndjesinë se jeta po shkon në normalitet. Asgjë më mirë se shkolla nuk mund të mishërojë qëndrueshmërinë dhe besimin tek e ardhmja. Qëllimi është të sigurojmë shkolla të standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha ambasadori i BE-së Luigi Soreca.