Është 85 vjeç, por gëzon ende pasionin, energjinë dhe vetësakrifikimin që i ka mësuar dhe diktuar prej vitesh bluza e bardhë e mjekut. Josif Qyqe është mjek në pension dhe jeton në zonën e Kamzës, ndërsa në këtë kohë të vështirë lufte me koronavirusin, ai nuk dëshiron të ‘struket’ në shtëpi, por të jap kontributin e tij krah kolegëve që po përballen me këtë situatë.
Përmes një letre dërguar për Repolitix, kërkesa e 85-vjeçarit për t’iu bashkuar bluzave të bardha, ka prekur të gjithë stafin e redaksisë së Report Tv dhe ka merituar duartrokitjet dhe mirënjohjen e gjithsecilit prej nesh.
Mjeku në pension Josif Qyqe dëshiron t’i vijë në ndihmë komunitetit ku jeton në zonën e Kamzës dhe miqve të tij, që vuajnë nga diabeti. “Nuk dua të jap vetëm këshilla nga telefoni, por të ofrojnë ndihmën time”, shprehet 85-vjeçari dhe gjithçka që kërkon është të pajiset me mjetet e duhura dhe është gati për të kryer detyrën e tij dhe të mbajë betimin e Hipokratit të kryer që në rininë e tij.
“Ne kemi dezinfektuar të gjithë zonën. Unë dua të jem aktiv në lidhje me mbrojtjen e zonës. Unë dua t’i vij në ndihmë pensionistëve në lagjen time, në Kamëz. Të pajisem me mjete dhe jam gati. Mosha është e rrezikuar por nuk duhet të qëndroj pasiv. Luftojmë për përmirësimin e shëndetit. Unë nuk kam frikë se e kam mbushur moshën. Në lagjen time kam shokë me diabet, 12 veta. Shkoj dhe kujdesem duke i matur diabetin dhe rekomandoj dhe këshillat që jep edhe doktor Kalo. Duhet të jenë të rregullt edhe në pirjen e ilaçeve. Unë nuk dua të jap këshilla vetëm në telefon. Ofroj ndihmën time për qytetarët e lagjes ku unë jetoj”, shprehet mjeku në pension.
85-vjecari ka nisur punën e tij si mjek i përgjithshëm në vitin 1960 në qytetin e Kukësit. Ka mbi 20 vite që ka dalë në pension, por sot ende arrin të dëgjojë zërin e brendshëm që e thërret për t’iu bashkuar kauzës ‘të shpëtojmë jetë’.