Nga Ben Andoni/

Situata e Covid-19 me projeksionet e saj shpesh të paparashikueshme kudo na ka vendosur përballë një fakti, që nuk mundemi më ta përballim si duhet. Shenjat janë dhënë në përçartjet aspak logjike të shumë qytetarëve dhe zërave publikë, por edhe kaosit të vendimmarrjes zyrtare.

Edhe pse shpesh shikojmë që konfuzitetin e kemi përballë sysh me masat kundër koronavirusit që na paraqiten, me të ardhmen pa të ardhme që e prêt një masë të madhe njerëzish, që po e humbin punën dhe çdo mundësi, shqiptarët po binden. Të frikësuar prej malit me lajme negative që u serviren në çdo moment, bilanceve të vdekjeve dhe dëshirimit të madh të shumë personazheve për të eksploruar dhe raportuar numra viktimash, shqiptarët i janë dorëzuar fatit. Në histori ka ndodhur shpesh, ashtu si edhe shumë vendeve si ne, që historia na ka vendosur në vështirësi e sprova të këqija dhe të mundimshme. Për fat, kemi mbajtur gjuhën dhe identitetin, dy elementë bazikë që na kanë shpëtuar nga asimilimi. Tashmë, e keqja është e madhe, por aspak sfiduese si më parë. I vetmi problem duket mënyra sesi po na përballin me masat dhe realitetin, që në fakt duket mbarëbotëror. A jemi mashtruar dhe përdorur?! A po na çojnë pas për të na ripërdorur? A do mund të riintegrohemi sërish?! Duket se historia përsëritet.

Në veprën e tij, Bota e djeshme, Stefan Cvajg shkruan: “Bota është mashtruar; janë mashtruar nënat që i kanë flijuar fëmijët e vet, janë mashtruar ushtarët që janë kthyer në shtëpitë e tyre si lypsarë, janë mashtruar ata që nga patriotizmi kanë regjistruar hua lufte, është mashtruar seicili që i ka besuar cilitdo premtim dhe botës së rregulluar më mirë, ndërsa tani e kemi parë se të rrezikshmit e njëjtë ose të rinj e kanë nisur përsëri lojën e vjetër, bast i së cilës kanë qenë ekzistenca jonë, lumturia jonë, koha jonë dhe prona jonë…”.

Kuptohet se janë thënë në një kohë dhe kontekst tjetër, por historia i përsërit sfidat thjesht me argumente të ndryshme. Njerëzit duhet të jenë kurdoherë vigjilentë. Dhe, në rastin e Shqipërisë, fati me tollovitë që na ka hedhur mbi krye, e ka provuar se është i pabesë. Problemi është se në kohë paqe, vendet me sisteme të shëndosha dhe të konsoliduara ekonomiko-sociale prodhojnë mekanizma për t’u mbrojtur, kurse vendet që këto sisteme i kanë çuar në dekadencë si Spanja dhe Italia lëshojnë e lëshojnë dhe gjenden pa rrugëdalje përballë sfidave si kjo e fundit.

Shqipëria po realizon një karantinim të vështirë dhe pa mesazh të afërt shprese për mbyllje, por me qëllimin e ruajtjes të jetëve njerëzore, që nga ana tjetër e ka paralizuar krejt jetën ekonomike të vendit. Të mendosh që këtë vit Shqipëria mendohej se do të bënte një hop të madh në zhvillimin e vet dhe relativizmin e pasojave të tërmetit, atëherë të vjen keq por edhe kujtohesh që disa vende mbeten fatkeqe. Po a jemi ne, një nga të tillët? Kemi mundësi që ta shlyejmë nëse do të tregojmë një shtet social në të gjithë kapilarët, jo ashtu si po veprohet deri tani. Por, le të presim dhe të gjykojmë! Për shumë nga ne, jeta do të fillojë nga fillimi. Dhe, do të jetë realisht e hidhur. Ashtu si përherë ndodh në vendin tonë. (Homo Albanicus)