Me fillimin e muajit Maj shumëçka pritet të ndryshojë në trajektoren politike të Partisë Demokratike. Nuk do të ketë më vetëm denoncime, (që janë shtuar së shumti këto kohë), por edhe lëvizje konkrete, drejt asaj që dikur PD dinte të bënte më mirë, protestat.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të ketë sot një takim në distancë me strukturat kryesore të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë. Është një takim “online” për të garantuar në këtë mënyrë edhe rregullat e distancimit social.
Në mbledhjen që do të drejtohet nga Basha përfshihen kryesia, ish deputetët dhe kolegji i kryetarëve. Organizimi i komunikimit të kreut të PD-së me strukturat është ndarë sipas qarqeve që përfaqësojnë. Për rreth 5 orë, Basha do të komunikojë me drejtuesit dhe përfaqësuesit e PD në të gjithë vendin duke i ndarë qarqet në 4 grupe kryesore. Deri këtu gjithçka i përket organizimit.
Ajo që vlen të theksohet është fakti se mbledhja e strukturave të Partisë Demokratike nga kreu i opozitës do të ketë në fokus “diskutimin e gjendjes së rënduar në të gjithë territorin, e shkaktuar nga pandemia dhe keqmenaxhimi i qeverisë”.
Burimet për gazetën “Si” bëjnë me dije se fokusi disa orësh do të jetë i fokusuar në këtë pikë dhe se gjatë diskutimit pritet të flitet edhe për hapa konkretë. Se për çfarë konkretisht, pritet të shohim mbledhjen e strukturave por ajo që nuk përjashtohet aspak nga PD-ja është mundësia e rifillimit të protestave nisur nga situata më e fundit në vend. Një vendim jo fort i lehtë në fakt në kohën kur tubimet janë të ndaluara në këtë kohë pandemie, e për sa kohë vetë Basha është i detyruar minimalisht që mbledhjen me strukturat ta zhvillojë online.
Jo më kot, PD-ja kundërshtoi edhe zgjatjen e gjendjes së fatëkeqësisë natyrore deri në fund të muajit Qershor, ku në një nga pikat e vendimit thuhet se, “ndalohen tubimet, manifestimet dhe grevat”
Gjithësesi, për të shkuar tek ky vendim bashkë me format se si, PD-ja po përgatit terrenin politik, por edhe njerëzor. Lulzim Basha i ka rritur tonet e paralelisht nga selia e PD-se po denoncohen çdo ditë “tendera korruptive” nga ana e qeverisë. Basha ka deklaruar në qëndrimet e tij se, ‘Rama po e drejton vendin si despot lindor, se amnistitë fiskale nuk bëhen kurrë pa një konsensus të gjerë shoqëror, se ka shpërndarë për 1 muaj vetëm 10 milionë euro për qytetarët, ndërsa për 4 oligarkë pagoi 22 milionë brenda ditës, se situata e infeksionit, shumë më e rëndë sesa tregohet nga qeveria, se është e paaftë për të përballuar krizën…etj”.
Duke i mbetur kësaj logjike politike, Basha u pyet nëse PD-ja po shikonte mundësinë e fillimit të protestave, një fenomen ky që po ndodh edhe në disa vende të tjera…Basha nuk e përjashtoi si mundësi, dha një përgjigje evazive e mbështjellë me lojëra fjalësh, por në fund la të kuptoje qartë se PD-ja do të mbështeste çdo nismë të qytetarëve që do të luftonin për të drejtat e tyre.
Më i drejtpërdrejtë në këtë qëndrim është ish-kryeministri Sali Berisha. Ai ka nënvizuar me këmbëngulje fillimin e protestave, ndërsa së fundmi, sinjale të tilla ka përcjellë edhe Monika Kryemadhi e cila që prej fillimit të pandemisë e kemi parë më shumë si shtëpiake sesa si politikane…
Mbledhja e strukturave sot nga Basha është edhe një rizgjim i strukturave të PD-së deri diku të tulatura qoftë nga pandemia ashtu edhe nga mungesa e orientimit politik në një situatë të pazakontë si kjo e sotmja.