Gazetari dhe analisti Mustafa Nano e sheh si të pasens nismën për faljen e qerave për familjarët dhe bizneset që nuk mund të paguajnë.Në një intervistë në studion e TemA TV, Nano tha se nëse ka vullnetin e mirë, qeveria duhet t’ua paguajë qiratë atyre që nuk janë në gjendje ta bëjnë.“Qeveria shqiptare kërkon që ta shpërndajë dëmin në planin nacional. Në kuptimin që ata që janë të pasur të paguajnë një kosto më të madhe. Por nuk ka sens. Nëse qeveria ka vullnetin e mirë, ajo mund të bëjë tjetër gjë, që qira dhe detyrime kontraktore që njerëzit nuk janë në gjendje t’i paguajnë, mund t’i marrë përsipër t’ua paguajë detyrimin”, tha ai.Megjithatë, sa i takon situatës së deritanishme të përhapjes së pandemisë në vendin tonë, Nano thotë se qeveria ka merita për mbajtjen e saj nën kontroll.“Ne duhet të njohim mirë koronavirusin. Është e vështirë të thuash. Qeveria shqiptare ka vepruar në momentin e duhur, është treguar më e shpejtë se shumë qeveri të Europës.

Këtë meritë unë qeverisë shqiptare ia njoh. Unë kam pritur që në Shqipëri të dramatizohej situata edhe më shumë. Nuk është dramatike.
Nëse vazhdon ky trend, pastaj jam optimist. Kam vënë re që britanikët ende nuk e kanë marrë seriozisht. Ata e kanë marrë me shaka koronavirusin. Këtu po vë re një lloj ndërgjegjësimin. Shqiptarët i shoh më të vetëdijshëm, më të bindur me masat që ka marrë qeveria”, tha ai.Ndërsa lidhur me deklaratën e kryeministrit Rama për arrestimin në Itali në vitet ’90 dhe mundësinë e verifikimeve lidhur me këtë, Nano tha se është diçka që nuk vlen të merret seriozisht.“Është qesharake. Është produkt i ndonjë idioti në opozitën shqiptare. Kush e ka nisur këtë lojë, ose dikush tjetër sipër tij, duhet ta ndalë këtë lojë. Kjo do të thotë të bëhesh gaz i botës”, tha ai.