Nga Ilir Yzeiri

Për shumë arsye, këtë shkrim nuk do të doja ta shkruaja. Së pari, nuk do të doja asnjëherë që Albin Kurti, si shenjues i një fryme të re në politikën shqiptare, të paktën ashtu siç njehtësohej ai në ligjërimin publik parashtetëror, të shfaqej tani si një shtetar i rëndomtë nga ata që ne jemi mësuar t’i shohim prej vitesh në të dyja anët e kufirit, këtu në Shqipëri dhe atje në Kosovë.

Më kujtohet se disa kohë pas përfundimit të zgjedhjeve në Prishtinë, jam takuar në Tiranë me mikun tim, prof. Agim Vinca, një mbështetës i sinqertë i Albin Kurtit dhe kemi diskutuar për frymën e VV-së dhe për Albin Kurtin, në veçanti. E mirëkuptoja prof. Agimin për vlerat që i jepte Albinit dhe frymës së VV-së dhe, në atë kohë, isha në një mendje me të që Kosovës, por edhe Shqipërisë, i duhet një frymë e tillë, një politikë e re që të mbështetet jo te klientelizmi dhe korrupsioni po te meritokracia dhe shteti i së drejtës.

Më kujtohet si i pata thënë mikut tim që Albini, në atë kohë gjithmonë, nuk kishte pse të sillej tash që ishte në krye të partive fituese sikur ishte i gjithëpushtetshëm. Ai duhet të jetë më i përthyeshëm dhe duhet t’i bëjë lëshime të mirëkuptueshme LDK-së, të mësohet të qeverisë me ta. Gjatë mandatit të parë publiku në Kosovë do ta bëjë dallimin mes VV-së dhe LDK-së dhe në mandatin tjetër, nëse ai realizon qoftë edhe 50% platformën e tij, zgjedhësit mund t’i japin jo një, por edhe disa deputetë më shumë që ai të mos të jetë i kushtëzuar nga askush dhe për këtë i solla shembullin e Edi Ramës dhe të mandatit të tij të parë me Ilir Metën, pastaj ndarja edhe me të.

Pavarësisht se vetë mund të mos jem në një mendje me këtë pragamtizëm politik, ky është i vetmi shteg nga duhet të kalojë një lider ambicioz për të realizuar një program afatgjatë. Mirëpo, tani e shoh se paskam qenë i gabuar në atë vështrim mbi Albin Kurtin.

Duke ndjekur këto ditë letërkëmbimin mes Presidentit të Kosovës dhe Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kam vërejtur me dëshpërim disa gjëra që jo vetëm janë sjellje antikushtetuese, por janë edhe veprime prej nja diletanti politik, më së pakti, dhe prej një arrivisti dhe populisiti të vrerosur. Albin Kurti nuk i njeh rregullat e lojës politike, në kuptimin që nuk i përfill ato. Ai tani po sillet si një bandill që ka hyrë kollovar në Parlamentin e Kosovës dhe po përpiqet që nga një dhomë që i takon të marrë gjithë godinën e të nxejrrë jashtë gjithë të tjerët që e banojnë atë ndërtesë. Është e kotë të përmendësh se në një republikë parlamentare si Kosova, Parlamenti është organi më i lartë dhe ai që zgjedh e voton qeverinë.

Arbitri i kësaj loje politike është presidenti, ose më saktë, noteri i këtyre veprimeve, pra ai që i legjitmon ato, është kryetari i shtetit. Në qoftë se qeveria hidhet në votim dhe nuk merr mbështetjen e Parlamentit, ajo praktikisht quhet qeveri e rrëzuar. Sipas Ligjit, partia fituese i drejtohet përsëri parlamentit dhe i propozon atij një emër tjetër për krijimin e qeverisë, presidenti e mandaton atë, pra i njeh të drejtën ligjore dhe ai shkon përsëri në Parlament derisa të gjendet një zgjidhje. Kjo ndodhi pak kohë më parë në Itali. Mateo Salvini dha dorëheqjen dhe megjithëse koalicioni i tij i djathtë kishte më shumë vota se të tjerët ai mbeti në opozitë sepse, sipas ligjit, të drejtën për të krijuar qeverinë e ka përsëri partia që ka marrë më shumë vota.

Në këtë rast « 5 Yjet » bëri koalicion me PD-në që ishte në vend të tretë dhe arritën të krijojnë qeverinë tjetër dhe të vazhdojnë qeverisjen. Salvini dhe të djathtët bënë protesta, natyrisht paqësore, kanë rritur tonin opozitar, por nuk bllokuan Parlamentin. Natyrisht këtu kemi dy anë : moralin dhe të drjetën. Moralisht qeveria në Itali ka rënë, sipas ligjit të së drejtës është në detyrë. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën. Moralisht çdo qeveri që do të formohet pas kësaj në Kosovë është e rrëzuar, por juridikisht e ligjshme. Mirëpo Albin Kurti nuk pyet për të Drejtën dhe i drejtohet Presidentit të Kosovës dhe e urdhëron atë se çfarë duhet të bëjë.

Një nga parimet themelore të çdo kodi janë afatet. Cilido proces e ka një afat dhe vetëm ato nuk shkelen. Albin Kurti, jo vetëm që nuk dërgon emër tjetër për t’u mandatuar si kryeministër, por shkel të gjitha afatet kushtetuese dhe prish gjithë rregullat e lojës duke e mbajtur me dhunë zyrën e Kryeministrit.

Tani vetvetiu lindin disa pyetje : Ky është lideri i ri i shqiptarëve që me të hyrë në një zyrë kryemnistri sillet si një kolltukofag i sëmurë dhe është gati të bëjë pakt edhe me djallin mjaft që të rrijë në pushtet ? Ky është lideri i ri i Kosovës që jo vetëm nuk respekton Kushtetutën e vendit të tij, por prish edhe të gjitha rregullat e lojës demokratike duke mos respektuar asnjë kriter kushtetues ?

Në qoftë se do të mbanim në vështrim portretin që ka shfaqur ky politikan në opozitë do të na duhej të shihnim një burrë shteti që sapo ndeshi vështirësinë e parë me LDK-në për të krijuar qeverinë, duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të vazhdonte të qëndronte në opozitë. Në këtë rast humbiste Albini, por fitonte politikani Kurti dhe kauza që ai përfaqëson dhe në zjgejdhjet e ardhshme ai do të përmbytej me vota.

Nëse ai është i bindur se e keqja e Kosovës po vjen nga ndërhyrjet e ambasadorut Grenell dhe nga Amerika, le të ketë kurajon dhe ta thotë hapur. Ka shumë forca politike populiste në Ballkan e në Europë që kanë jo vetëm një frymë antiestablishment por janë edhe kundër hegjemonisë europerëndimore. Është Salvini në Itali apo Varufakis në Greqi.

Albini ka kërcënuar me protesta të fuqishme nëse Presidenti i Kosoëvës do të zbatojë Kushtetutën, pra do të mandatojë partinë e dytë në radhë për të krijuar qeverinë. Kjo është e ligjshme, por më parë ai duhet të largohet nga zyra e Kryeministrit, të japë dorëheqjen dhe të kryejë të gjitha aktet që ai dëshiron, ndoshta edhe të dalë nga Parlamenti. Është në të drejtën e tij.

Pas kësaj të gjithë do të kujtohen se na ishte njëherë një Albin që recitonte bukur një tekst mashtrues dhe një ditë kur iu desh të vepronet jo vetëm që e harroi atë tekst, por imitoi në mënyrën më të turpshme të gjithë personazhet që ai i kishte fyer e denigruar. Nga një hero tragjik ai u shndërrua shpejt në një karikaturë të një populisti të vrerosur.

(TemA)

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on LinkedIn