Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë një interviste për median, deklaroi sot se nga amnistia fiskale nuk përfitojnë politikanë, punonjësit e policisë, si edhe ata që janë subjekt i OFL-së.
Balla tha se janë mbi 5 000 zyrtarë apo drejtues në administratë, që nuk përfitojnë nga kjo nisëm.
“Nisma e rishpallur nga Kryeministri, pasi kujtoj këtu, që për herë të parë Kryeministri e ka theksuar në fillim të muajit mars nismën që lidhet me aministinë fiskale, është një instrument shumë i rëndësishëm sa i takon forcimit të ekonomisë së vendit me kapitale që sot janë të fshehura, por që duke u formalizuar me një amnisti qoftë fiskale dhe penale, bëhen të vlefshme”,- tha Balla.
“Duhet të kuptojmë, ne do ta miratojmë këtë amnisti në Kuvend me më shumë se 84 vota për t’i garantuar të gjithë atyre personave që me punë të ndershme, e theksoj këtë, me punë të ndershme në emigracion apo në bujqësi, sepse e dimë se në më shumë se 30 vite bujqësia ka qenë e pa formalizuar dhe pa kupona tatimor dhe padyshim që çdo familje mban para kash nën jastëk, dhe ky kash është i domosdoshëm në situata të ngjashme.”,-vijoi Balla.
“Plot vende kanë marrë masa të tilla. Kujtojmë këtu, në vitet ’97-’98, në pjesën e vendeve të Azisë Juglindore, një pjesë e qeverive morën masa të ngjashme, jo vetëm në kash, por edhe të argjendarive…etj etj, me qëllim për t’i vendosur në funksion të kapitalit të rëndësishëm të një vendi. Prandaj amnistia fiskale është një domosdoshmëri”,- nënvizoi Balla.
“Kjo është mundësi e artë për ata që i kanë me punë të ndershme këto kapitale dhe këtu theksojë se askush prej personave që hyjnë te juridiksioni i ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, politikan, gjyqtarë, punonjës policie, drejtues të administratës, më shumë se 5 mijë zyrtarë në vend nuk mund të përfitojnë nga amnistia, ndërsa gjithkush që hyn në juridiksionit e OFL-së dhe që janë subjekt i kontrollit nga ana e SPAK, as që bëhet fjalë të përfitojnë nga kjo amnisti”,- përfundoi Balla.