Nga Luljeta Çipi/
Në betejën me një armik të padukshëm që ka gjunjëzuar gjithë botën, duke kërcënuar në çdo sekondë jetën njerëzore, Shqipëria arriti të reagojë në kohën e duhur përmes masave të kufizimit të lëvizjes, pa të cilat me gjasë do të ishim në të njejtën situatë si në Italinë fqinje (në mos më keq), nga ku çdo ditë njoftohen shifra aspak inkurajuese, jetësh të humbura nga ky virus.Në të njejtën kohë që kufizimi i lëvizjes ka shmangur përhapjen masive të virusit, duke na shtyrë të qëndrojmë më të sigurt në familjet tona, bluzave të bardha në vijën e parë të kësaj lufte, ua ka bërë edhe më të menaxhueshëm, procesin e trajtimit të të prekurve të deritanishëm, duke u shmangur atyre barrën e rëndë të një krize shëndetësore, fluksi të lartë pacientësh, ashtu siç fatkeqësisht ka ndodhur me Italinë apo Spanjën, ku numri i pacientëve me covid 19 është aq i lartë, sa mjekëve u duhet të zgjedhin se kë të shpëtojnë e kë të lënë të vdesë.
Ajo çfarë mbetet shpresëdhënëse në këtë drejtim është se numri i të shëruarve nga covid19 në Shqipëri mbetet shumë më i lartë se sa numri i fataliteteve, me 17 jetë të humbura. Por 99 persona të shëruar, nuk do të thotë se beteja është fituar dhe se armiku ka humbur fuqinë e tij vrasëse. Ai është ende pas dere!Fakti që falë masave te marra kemi arritur të shmangim një emergjencë të shëndetit, e cila në shumë vende të Europës ka kolapsuar sistemet më të zhvilluara shëndetësore të botës, nuk do të thotë që rreziku ka kaluar dhe që kemi luksin t’i kthehemi lirisht aktivitetit tonë të përditshëm social, i cili potencialisht është ende një vatër rreziku. Kjo emergjencë mund të jetë shumë afër nesh, nëse nuk vijojmë të qëndrojmë larg njëri tjetrit.
Fakti që këto masa kanë dhënë rezultat, nuk do të thotë as që koeficenti i transmetimit të virusit nga një njeri tek të paktën një tjetër, ka rënë. Përkundrazi, që ai të bjerë, duhet të vazhdojmë me të njejtën taktikë lufte, vetëizolimin.Fakti që keto masa kanë funksionuar, duhet të na inkurajojë për të qënë edhe më të durueshëm e më këmbëngulës për të përdorur të vetmin mjet që tani për tani e spraps virusin, në kushtet kur ende mungon një vaksinë kundër tij: distancimi social.Kërkimet shkencore tregojne se njeriu mund ta transmetojë virusin tek një person tjetër, pesë ditë para se ai të shfaqë vetë simptomat, çka do të thotë se ne mund të mos e kuptojmë që padashur i kemi shtruar rrugën armikut.Në këtë kontekst, le t’ja kujtojmë vetes sa më shpesh, se sa shumë ngadalësohet përhapja e kësaj pandemie, varet nga zgjedhja e njeriut.
Nëse do t’i ktheheshim tani aktivitetit të përditshëm, do të ishte një vetëvrasje që do i jepte fund dhe do të çonte dëm gjithë sakrificën e deritanishme dhe përpjekjet që kanë rezultuar të suksesshme. Por që beteja të fitohet, na duhet të vijojmë me të njejtën sakrificë që nuk mund të lihet në mes e të braktiset, aq më pak kur na ka dhënë avantazh kundër armikut, e kjo për dy arsye:E para, për të mbrojtur veten dhe të dashurit tanë. E dyta, për të mos shkelur më këmbë kurajon dhe sakrificën e heronjve në vijën e parë të zjarrit, mjekëve dhe infermierëve, ndaj të cilëve do të bënim një padrejtësi të madhe, nëse nga padurimi a papërgjegjshmëria jonë, do t’i vinim përpara një emergjence që do t’u linte atyre në derë, një kasaphanë të dhimbshme.T’i lëmë spitalet të trajtojnë ata që tashmë kanë realisht nevojë, është e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të qëndruar në këto ditë, realisht dhe me zemër në mbështetje të mjekëve, heronjve të vërtetë të luftës!