Nga Ylli Pata
Sulmi politik ndaj Ilir Metës nga qarqe opozitare, të cilat janë të orientuara rëndësishëm pranë establishmentit politik të saj kanë nisur të komentohen që prej ditës së djeshme për të kërkuar fillin e ri politik të opozitës.
Por ky fill duket se është vështirë të gjendet, ngase edhe pse ka të dhëna se është orientuar nga establishment i PD-së, ai është hedhur kuturu, si batare nga frëngjitë e karantinës ku është strukur prej kohësh mendimi dhe opinioni publik opozitar.
Edhe pse Shqipëria zyrtarisht është izoluar në distancim social pas shpalljes së pandemisë botërore të Covid 19-s, pra në fillim të marsit, opozita shqiptare është karantinuar prej shumë kohësh, madje prej vitesh, thënë shkoqur që kur humbi zgjedhjet e vitit 2013, ku largimi i Sali Berishës u përjetua si virus, e që prej atëherë po zbaton taktika për “hapje me pikatore”, por në fakt është mbyllur edhe më shumë duke kryer një distancim social që i ka kushtuar rëndë shëndetit mendor jo vetëm opozitar, por në tërësi opinionit publik kombëtar.
Merr vetëm rastin e bombardimit politik të Ilir Metës prej 24 orëve nga “artileria mediatike” e opozitës.
Presidenti nuk e kontestoi korpusin e ndryshimeve të Kodit Penal që miratoi Parlamenti si shkas nga pandemia, por dërgoi juridikisht disa propozime në Kuvend, të cilat u korporuan si qëndrim i reflektuar.
Partia Demokratike, duket se nuk e donte këtë qëndrim të Metës, por kërkonte një refuzim apo rrëzim të ndryshimeve në Kodin Penal.
Gjëja më normale dhe legjitime në botë për një opozitë. Thjesht Lulzim Basha mund ta shpallte këtë qëndrim publikisht, e të shkonte në Presidencë duke ja kërkuar Ilir Metës edhe zyrtarisht, duke vënë në lëvizje kështu një mekanizëm politik, që sido që të jetë do të kishte fuqinë e tij.
Presidenti, edhe sikur të ishte kundër qëndrimit të opozitës nuk do të mund ta injoronte atë, por të paktën do të jepte qëndrimin e argumentimin për rastin. E kështu më pas do të vinte përgjigja, do kanalizohej debati e logjikisht mund të kishin dalë edhe alternative të reja. Ky quhet proces politik, që e ndjek normalisht ҫdo parti politike apo aktor relevant në vendimarrje.
Por Partia Demokratike është mësuar me një regjim izolimi dhe distancimi social që prej vitesh dhe nuk di të hapet në shoqëri, e të ndjekë një model normal të fuzionit të ideve, qëndrimeve apo edhe alternativave.
E keni parë që nga viti 2013, kërkohet o të bëhet siҫ thuhet PD o s’ka.
Në fillim qëndrimet denoncuese patën përkrahje publike pasi përmendnin me emra e mbiemra zyrtarë që sipas saj kishin problem me ligjin. Proces që solli një fitore politike të opozitës; ligjin e dekriminalizimin.
Por kur erdhi puna për të propozuar alternativa, PD-ja gërthiste: O arrestoni atë e atë, o s’ka. Ose të ikë Rama ose nuk ka as zgjedhje, as dasma, as kafe, as zijafete, as jetë normale e as shkolla e kopshte, as festa apo vaki por vetëm ҫadra e protesta, nuk ka popull por popull opozitar, përmbysje e gjithҫka është thënë e thuhej në sheshe, konferenca e panele emisionesh televizive.
Kur logjikisht dhe numerikisht PD-ja është vetëm një pjesë e elektoratit, një pjesë e publikut, një pjesë e shqiptarëve, që nuk mund të bashkëjetojë pa palën tjetër, pa respektuar disa rregulla komune; siҫ ndodh në ҫdo vend xhanëm.
I keni vënë re opinionistët që lanҫojnë apo mbrojnë qëndrimet opozitare në emisionet televizive? Si për shembull Gjekmarkaj, Marku etj. Kur e kanë Edi Ramën në studio janë të butë e të qetë, por kur ai nuk është apo edhe në shkrime, nuk lënë stilistikë të sharjes apo anatemimit pa përdorur. Pikërisht ky qëndrim, kjo logjikë është kryekëput një logjikë izolimi social, që vepron në kushtet e karantinës politike.
Gjekmarkaj që kur ka Ramën përballë zbutet sapo kryeministri i thotë “profesori”, mund ta shfrytëzojë rastin e “artë” për të konfrontuar pikëpyetjet dhe qëndrimet që opinion opozitar që ai përfaqëson ka për të. Për të tëra: duke debatuar, ҫ’ka është “A”-ja në një sistem alternance. Dueli politik është instrumenti i vetëm në demokraci, ku në fund njëri “vritet” e tjetri fiton, natyrisht vetëm me zgjedhje ….
TemA