Nga Dritan Hila/
Sot është bërë virale një video ku thuhet se një jaht i quajtur “Maltese Falcon”, është përzënë nga porti i Durrësit, duke akuzuar për këtë kapitenerinë e Durrësit.
Si është e vërteta.
Pak histori. Jahti “Maltese Falcon” është jahti më teknologjik ne botë ne lundrimin me vela. Është në gjendje të përshkojë Oqeanin Atllantik për 10 ditë dhe ëshë i gjatë 88 metra. Është porositur nga miliarderi Tom Perkins për shumën 150 milionë euro dhe tani i përket grekes Elena Ambrosiadu, themeluese e fondit spekulativ financiar “Ikos” me baze ne parajsën fiskale të Qipros. Është një ndër jahtet më të avancuar teknologjikë me tre direkë automatikë velash që arrijnë lartësinë 58 metra.Dje ka kërkuar të futet në portin e Durrësit që të furnizohej me karburant. Velierat, për më tepër një jaht si “Maltese Falcon” e përdorin motorrin vetëm për të hyrë dhe dalë nga porti.
Kapiteneria është treguar mirëkuptiese por i ka kërkuar që pas furnizimit, maksimumi të hënën të dalë në radë pasi priteshin anijet me ushqime. Një port i kufizuar si ai i Durrësit nuk është i ngritur për anije turistike dhe për më tepër nuk ka kapacitete të përballojë shumë anije. Aq më tepër në kohë të qetë, dhe pa furtuna (që një jaht si “Maltese falcon” nuk i ka problem) nuk ka asnjë detyrim të bllokojë për dy javë një hapësirë të çmuar në kohë krize.Kapiteni i jahtit ka pretenduar të rrijë dy javë, por në kushtet kur anija nuk kishte avari dhe vendi është në krizë pandemie, autoriteti shqiptar me të drejtë i jep prioritet anijeve kargo.Mbase në kushte normale ankorimi i një jahti luksoz në brigjet shqiptare është promovues për turizmin. Ndoshta. Por në mes të dimrit, me shumë sesa promovues, bie era biznes pasi në portin e Durrësit ankorimi kushton 15-20 hetë më lirë sesa në portet turistikë të vendeve fqinje dhe për më tepër në kohë krize, nuk mund të bllokohet një hapësirë e çmuar.Ndaj në këtë rast Mihalët ndodhen në bordin e jahtit dhe jo në autoritetin e portit te Durrësit./dritare.net/