Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u bëri thirrje sot shqiptarëve që të blejnë produkte “Made in Albania” dhe të konsumojnë “shqip”.

“Një merak tjetër që ka të bëjë me ekonominë e luftës. Nga ngastrat e serat e bujqve shqiptarë, nga blegtorët shqiptarë ka shumë prodhim cilësor këtë vit dhe ju që shkoni të bëni shpezat për familjen tuaj, ju lutem blini prodhimet tona shqiptare. Sot e nesër të mbyllur në shtëpi, ju që ngrini shëndete e bëni ndonjë urim, bëjeni me një birrë shqiptare. Blini prodhime “made in Albania”, konsumoni SHQIP”, tha Balla, ndërsa ndau një video të himnit kombëtar realizuar nga këngëtarët shqiptarë.

Ai shprehu bindjen se “Shqipëria do ta fitojë këtë luftë, por duke ruajtur deri në ditën e fundit kujdesin, respektimin e rregullave dhe masave që na mbrojnë nga armiku i padukshëm”.

“Ne nuk jemi patriotë vetëm më 28 Nëntor, apo kur këndojmë “o sa mirë me qenë shqiptar” kur fiton kombëtarja. Ne jemi patriotë edhe kur duhet të bëjmë detyrën tonë ndaj atdheut, popullit, njëri – tjetrit, sot më shumë se kurrë”, tha ai.