Nga Shpëtim Nazarko/
Thonë se kur ministri jashtëm serb Daçiç zuri e i këndonte turiqsht për ti bërë qejfin Erdoganit, kishte një hall të vogël veç të tjerash. Puna ishte që ky i fundit të blinte nja 6 mijë ton mish, që Turqisë i duhen jo vetëm për konsum të brendshëm, po dhe për atë turizmin që i lulëzon më shumë nga gjërat e tjera.
Ajo që dihet ca më mire nga ajo që tregova më lart, është që Serbia, ndryshe nga ne që importojmë deri në 60 përqind të mishit për herë parë në historinë mijëra vjecare të ekzistencës, subvencionon 70 dollarë për një dele dhe 400 dollarë për një lopë. Shumë duket apo jo, apo serbët janë thjesht gomarë dhe aq?
Ajo që kam përmendur shpesh dhe do ta përmend deri sa të kem mundësi të shkruaj edhe ca më shpesh, ishte një ide e thjeshtë. Nëse qeveria do t’u falte 1000 familjeve fshatare të Kukësit nga 200 qengja në pamje të parë, do tu kishte falur 5 milionë euro. Të cilat pas pak vjetësh, mund tua merrte në taksat për çdo produkt që dilte nga delet në qumështin e djathin e baxhove, në artizanatin e krijuar, në lëkurët e tyre që bëjnë minumumi nga dy dollar, po që i çojmë në eksport tani dhe i marrim me çmim dhjetë fish në trajtën e këpucëve etj, etj.
Një llogaritar i thjeshtë, do ta bënte këtë llogari edhe për Luginën e Vjosës, apo në kullotat e pafundme të Shqipërisë. Dhe mbështetur edhe në një arsye më të thjeshtë. Shqipëria që deri në 1939, ka pasur në mënyrë absolute vendin e parë në Europë për numrin e të imtave për 1000 banorë pra edhe përmbi Zvicër, Angli e Gjermani, e ka më të lehtë për kushtet e sotme të zhvillojë blegtorinë se bujqësinë, që lëngon nga ligji 7501 dhe nga mungesa e një reforme agrare reale.
Eh mirë e ke ti, më thoshte një nga kritikuesit e Konicës. Po ku ta gjejmë barin? Se fshatari i Kukësit, duhet të shkonte andej nga Myzeqeja për të dimëruar… Bëhet më ajo punë skllavi? Besoj se sot gjërat kanë ndryshuar dhe barin që Nanua dikur thoshte dhe e blemë edhe jashtë, se në ekonomi tregu jemi, mund të ta bien me makinë e ta magazinosh për dimër jo në Kukës, po edhe në Vermosh.
Punët ndoshta janë më të komplikuara se thotë edhe kritiku im. E falimentuar disa kohë më parë Argjentina, iu drejtua këshilltarëve gjermanë. Pasi studiuan gjeografinë e vendit, ata rekomanduan(dhe këtu po i bie thjesht) nja tre gjëra të vogla. Për shkak të gjatësisë së vendit, gjermanët rekomanduan, rritjen e lopëve të sojës dhe limonave. Dy nga tre produktet i mori Kina me kontratë për një kohë të gjatë dhe Koka–Kola, po për një periudhë të gjatë.
Në rastin tonë, këto punë më thjesht dhe më qartë, mund ti zgjidhte Banka Agrare apo siç i thonë sot edhe banka e zhvillimit. Një bankë që Shqipëria megjithëse vend bujqësor e blegtoral prej mijëra vjetësh është edhe e vetmja në botë, që nuk e ka. Kjo bankë që në Shqipëri Zogu e krijoi që më 1925, pra dhjetë a pesëmbëdhjetë ditë pasi erdhi në pushtet pas revolucionit të Nolit, u shkri pas 100 vjetësh, sepse falimentoi. Megjithëse asetet e saj që shtrihen në shumë qendra qytetesh në dorë të një pronari të ri, bëjnë ende shumë para. Banka thonë ishte edhe përpara kohës së Zogut dhe kreditonte fshatarët e zonave psh. të Vlorës që merrnin e jepnin me bagëtinë me shumicë që kishin.
Natyrisht për të mos shkuar në duart e shtetit, mund të përdornim bankën të cilën mund ta krijonte qeveria ndoshta dhe me partner të përbashkët. Dhe nëse do të kishte vështirësi, mund ta përdorte këtu, atë garancinë sovrane më mirë se kudo tjetër. Bagëtia nuk do shumë e shumë vite për të dalë në tregun e eksporteve.
Duhet bërë apo nuk duhet bërë? Mos do të na kthejë në barinj, ky njeri do të thotë dikush… Besoj se Zvicra që ishte prapa nesh në numrin e bagëtive dikur e zhvilloi deri në perfeksion këtë industri nëpërmjet përpunimit. Dhe ndërmarrjet e saj përpunuese të përhapura gati kudo nëpër botë, sjellin rrotull nja njëqind miliardë, apo gati dhjetëfishin e prodhimit tonë vjetor kombëtar. Sepse ndryshe nga ne psh. që e hedhim 100 përqind të leshit në gropë pa asnjë lek, se ndryshe nga nga që e shesim lëkurën për eksport dhe pastaj e blejmë 10-fish më shtrenjtë në çmimin e këpucëve, Zvicra nuk e bën këtë. Ajo e përpunon çdo gjë.
Unë mund ta kuptoj që është e vështirë të përpunojmë kromin, a minerale të tjera se ka ustallarë më të mëdhenj nga ne në këto fusha, por nuk mund ta kuptoj përpunimin në këtë fushë të thjeshtë që quhet blegtori. Unë nuk mund ta kuptoj që për herë parë në historinë e saj, Shqipëria plotëson me mish vetëm 40 përqind të nevojave të saj. Ku vemë, se vërtet nuk ka njeri ta kuptojë këtë?
Pyetja për qeverinë shtrohet thjeshtë:
Bari në malet tona, apo argat në fushat e Greqisë?
Këtë pyetje duhet t’ja shtrojnë vetes ata që i rrinë vërdallë tërë ditën e ditës qeverisë sot, a qeverive që kemi kaluar duke i propozuar metoda që të ngrenë flokët përpjetë. Është më mirë ta dëgjojnë edhe ca të tjerë, që pas kësaj katrahure që na bëri gazin e botës me histori kanabisi, zënë e nxjerrin lapse në televizone, se sa meleonë fitojmë, nëse rimbjellim kanabisin, kësaj radhe për qëllime mjekësore.
Folur seriozisht. Qeveria duhet t’i rikthehet një teme të thjeshtë, tani që epidemia e Covid-it po mbaron. Bashkë me fatkeqësitë që ajo bie, sjell dhe mirësi po aq të mëdha. Do të na ndihmojë të heqim qafe të gjitha budallallëqet e pafundme që kemi bërë këto tridhjetë vjet, me pika karburanti, dyqane e restorante, kafene e hoteleri nga të tëra anët.
Kam idenë se duhet t’i thërrasim mendjes. E para gjë që ndoshta duhet të bëjë kjo qeveri, është t’i rikthehet e të bëjë Bankën Agrare, e le ta quajë po të dojë që të mos ta zërë mallkimi i emrit të parë edhe bankë zhvillimi. I zgjidh ajo pastaj hesapet me fshatarët më thjeshtë se sa mendohet.
Po të dojë, e të mos hyjë në histori të gjata pra ta zërë frika se mos falimenton si më parë, le të kujtojë një fond të vogël zhvillimi dikur që përqindjet e kthimit të kredive nga fshatarët i kishte në masën 97 përqind. Të vogla po të sigurta.
Si gjithnjë endur në fushën e ideve nuk më hy në punë emri i personazheve.
Dhe për t’i evituar sa më shumë ata dhe për të mos rënë në dorën e qeverisë, kjo e fundit të bëjë vetëm një punë. Të krijojë a mundësojë Bankën Agrare me paratë e saj apo me paratë e të tjerëve dhe nëse e bën me paratë e të tjerëve, ta vejë aty atë garancinë sovrane.
E duke e mbyllur, rikthehem prapë te tituli i artikullit.
“Është më mirë bari në malet e tua, se argat në fushat e Greqisë”.