Në emisionin “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Flori Gjini dhe Erjona Rusi, ishte i ftuar deputeti Kujtim Gjuzi.Në studio po flitej nëse masat e marra nga qeveria, janë të duhurat apo të ekzagjeruara. Në lidhje me këtë temë, Gjuzi theksoi se kryeministri Rama ka shkelur ligin për 44 ditë dhe se sipas tij, koronavirusi s’është gjë tjetër veçse një mashtrim.
Sipas Gjuzit, Rama i ka ndërmarrë këto masa sepse mendon se është babai i kombit. Po ashtu Gjuzi shtoi se sipas tij, kryeministri, është një frikaman dhe merakoset për shëndetin e tij, ndaj ka marrë edhe masa kaq të shtrënguara.“Unë dua të them se kryeministri Rama ka shkelur ligjin për 44 ditë, sepse e ka vendosur vendin në një karantinë të jashtëligjshme. Ai mendon se është babai i kombit, por nuk është. Ai ta ketë të qartë se nuk mund të ketë koronavirus vetëm në ato fasha orare, që ka vënë ai. Shqipëria ka 365 ditë me diell, atje ku hyn dielli, s’ka virus. U bëj thirrje qytetarëve të mos e dëgjojnë dhe të dalin, sepse s’ka koronavirus me orare. Kryeministri është një frikaman, uroj të jetë mirë, ka frikën e vet dhe e futi një qytetërim social në kaos. Kjo (koronavirusi) është një mashtrim dhe e thonë mjekë të njohur”, u shpreh Gjuzi./ tch