Nga Mero Baze

Ndërsa beteja me koronavirusin po hyn në fazën finale në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, Qeveria duket se po harxhon më shumë energji për të menaxhuar sulmet politike, apo manirat e personazheve televizive, se sa për vet betejën.

Për fat të mire, situata është nën kontroll dhe shoqëria shqiptare po ruan dukshëm disiplinën për të zbutur pasojat e epidemisë, ndërsa nëse monitoron programet televizive (dhe s’ke çfarë bën tjetër në karantinë) shikon se shumica e zyrtarëve të lartë të vendit, që në të vërtetë janë dhe më të angazhuarit në këtë betejë, humbasin orë të tëra të sqarojnë në ekrane, akuza të PD-së, pyetje idiote të moderatorëve televizivë, apo të humbasin kohë në beteja të tjera, në të cilat i tërheqin dhjetra ekrane.

Gjendja e jashtëzakonshme, quhet dhe është e tillë, pasi mendohet që të gjitha energjitë duhet të mobilizohen në përballimin e epidemisë, dhe jo në përballimin e çdo budallallëku që i vjen në mend Lulzim Bashës, Tit Vaslit, apo çdo ligësie që prodhon Sali Berisha.

Qeveria nuk është e detyruar t’i japë llogari kujtdo në këto ditë. Do të ketë kohë dhe mundësi ta bëjë këtë kur të mbarojë beteja. Tani dhe mund t’i injorojë kërkesat për debate televizive, apo nevojën për përgjigje të ligësive të Sali Berishës, apo marrëzirave të tjera. E kundërta do ishte normale, që shtypi apo dhe opozita të bëheshin pjesë utilitare e betejës. Por kjo nuk është detyrim. Kjo është dëshirë dhe vullnet, dhe shumë prej tyre nuk e kanë atë dëshirë.

Ndaj është mirë t’i lësh në mungesën e dëshirës së tyre për të ndihmuar dhe jo t’u shërbesh manirave të tyre, për të bërë si njerëz të interesuar.

Shpik Sali Berisha që mjekët nuk kanë marrë 1000 eurot e premtuara dhe duhet ta sqarosh patjetër atë, ndërkohë që mjekët e Spitalit Infektiv dhe kushdo që është përballur me atë situatë, ka marrë shpërblimin apo përpjestimin e tij, në varësi të ditëve që ka qenë i anagzhuar në atë betejë.

E njëjta gjë dhe për përpjekjen për të kthyer në dramë kombëtare, një tufë emigrantësh që mbërrijnë në kufi duke shkelur ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe torturën e përditëshme që duhet të dëgjojmë, përse nuk bëjmë teste massive, siç thotë Lul Basha dhe një torrollak që e ka caktuar veten “shkencëtar”, por bëjmë vetëm teste që ndjekim rrethin e pacientit të infektuar.

Kjo tani ka kaluar në tepërim dhe në përsëritje të mërzitshme. Mirë opozita që nuk ka punë dhe do të ndajë pikëpamjet e saj dhe mbi tabelën e shumëzimit, por Qeveria dhe zyrtarët e lartë nuk kanë pse mbeten ekraneve, për të shpjeguar gjithçka. Mjafton një komunikatë zyrtare në ditë për gjendjen e vendit dhe statistikat zyrtare, dhe shtypi le të vazhdojë të bëjë punën e vet.

Se nëse do të bëjmë në fund të epidemisë, statistika se kush e përballoi këtë situatë, do të na duhet të ndajmë dy kategroi. Ata që e përballuan në ekrane dhe i njohim të gjithë, dhe ata që u përballën vërtet në vijën e parë të frontit, dhe akoma nuk ua dimë emrat.

Lereni zonjën Eni, Fevziun, Sonilën, Zhejin dhe të tjerët të bëjnë punën e tyre pa ju. Le të thonë çfarë të kenë qejf e çfarë të duan. Në fund, ata numërojnë shikueshmërinë, kurse ju numëroni të vdekurit dhe të shpëtuarit.