Qyteti verilindor qëndroi i paprekur për më shumë se një muaj, por në dy ditët e fundit u regjistruan 10 raste, shumë prej të cilëve infermierë dhe mjekë.
Autoritetet lokale në Kukës pretendojnë se masat e distancimit social në qytet kishin funksionuar, pavarëvsisht përhapjes së beftë të COVID-19 në qytetin verior, i cili deri të mërkurën nuk kishte pasur raste të sëmundjes. Por drejtori i Shëndetit Publik atje tërhoqi vëmendjen se mjaft lokale po funksiononin fshehurazi, ndërsa në fshatra kafenetë ishin të hapura.
31 teste të bëra në 48 orët e fundit zbuluan 10 raste pozitive në Kukës dhe në rrethina. Pesë prej personave pozitivë janë infermierë dhe mjekë të spitalit, ndërsa 4 të tjerë të afërm të një prej infermierëve që dyshohet edhe si pacienti zero në Kukës. Autoritetet hamendësojnë se gabimi ka ndodhur gjatë tranportimit nga Hasi në Tiranë të një prej të sëmurëve me COVID-19 prej dy infermierëve të spitalit të Kukësit.
Ndërkohë edhe drejtorinë e Shëndetit Publik në Kukës thonë se dyshohet që pacienti i parë me COVID-19 në qytet prej infermierëve të urgjencës i cili kishte shoqëruar në Tiranë njerën prej pacientëve të infektuar nga Hasi, tashmë të shëruar.
“Infermieri i urgjencës që ka rezultuar pozitiv i pari në Kukës ndjehej mirë dhe nuk ka pasur shenja. Por për siguri ai kishte bërë skanerin e mushkërive disa ditë pas shoqërimit të të sëmurës dhe kishte rezultuar pa probleme. Kështuqë ai ka vazhduar i qetë punën. Në ditët e fundit ai ka pasur temperaturë dhe menjëherë i është bërë testi ku ka rezultuar pozitiv”, thotë Fadil Morina, drejtor i Shëndetit Publik në Kukës.
Pas daljes pozitiv të infermierit të urgjencës, sipas Morinës janë karantinuar 40 persona që kishin lidhje me të, shumica prej tyre personel shendetësor dhe u janë bërë testet. Nga testimet e para rezultoi pozitiv një inefermier ndërsa të enjten edhe tre mjekë e infermierë kanë rezultuar po ashtu pozitivë. Një pjesë tjetër e stafit ka rezultuar negativ.
“Në serinë e dytë prej 31 testesh, kanë rezultuar pozitiv edhe tre vetë personel mjeksor të spitalit të Kukësit duke e çuar numrin e tyre në pesë persona”, tha në vijim Morina.
Por rrethi i dyshimeve për të infektuar është më i madh, pasi pozitiv ka rezultuar edhe vajza e martuar e infermierit të urgjencës, e cila është shtatëzënë. Morina tha se në listën e të dyshuarve ishin edhe mjekë e infermierë të maternitetit.
Gjurmime po kryhen edhe tek një grup të rinjsh me të cilët është shoqëruar djali i të infektuarit, i cili ka rezultuar pozitiv. “Pas daljes së rezultatit të parë pozitiv në Kukës janë karantinuar 40 persona, shumica personel shendetësor”, tha Morina. Ai tha se me karantinimin e mjekëve është vënë në rrezik shërbimin spitalorë, ndërsa ripërsëriti apelin për zbatimin e karantinës.
Kryetari i bashkisë së Kukësit Safet Gjici deklaroi rastet ishin pasojë e një gabimi, por se masat e marra kishin qenë të rrepta dhe ishin zbatuar kriteret e karantinës. “Kukësi ka qenë në masa shumë të rrepta, janë respektuar edhe në spital të gjitha kontrollet, megjithatë një gabim mbase ka dërguar në një situatë të tillë”, tha kryebashkiku Gjici.
Por Morina tha se ishin në alarm për shkak të shkeljeve të shumta në bare e lokale. “Në takimet që kemi zhvilluar me prefektin kam ngritur si problem që shumë lokale në qytet frekuentohen nga klientë të cilët hyjnë nga dyert e pasme, madje në fshtatra ato frekuentohen haptaz, ndërkohë që policia nuk ka mundur që të eleminojë këto veprime që po rezikojnë shendetin e njerëzve”, tha drejtori i Shendetit Publik në Kukës.
Kryebashkiaku pretendoi se ishte bërë maksimumi për zbatimin e masave të distancimit dhe po ashtu ishte bërë dizinfektimi i tregut.
Në përgjithësi në Qarkun e Kukësit tani janë 26 persona të infektuar. Hasi, një ndër bashkitë më të vogla në vend për numër popullsie, ka numrin më të madh të të infektuarve në qarkun e Kukësit me 13 persona të infektuar. Në Tropojë janë identifikuar 4 raste.(SI)