Pas bilancit më të fundit mbi pandeminë nga koronavirusi në Itali, Giovanni Rezza i Institutit të Lartë të Shëndetësisë dhe anëtar i Komitetit tekniko-shkencor tha se “Nuk ka dyshime se ne jemi akoma në fazën e parë të epidemisë. Ka shenja pozitive në kurbën e Covid-19 por numri i vdekjeve është ende i lartë dhe është si pasojë e infeksioneve të mëparshme.

Rezza tha gjithashtu se edhe numrat e infeksioneve të reja në fakt janë ato të prekura 20 ditë më parë, duke shtuar se rënia e numrit të vdekjeve do të jetë efekti i fundit i masave izoluse pasi koha midis infektimit dhe vdekjes është më e gjatë se ajo midis infektimit dhe zbulimit pozitiv.

Sipas autoriteteve të shëndetësisë ky ndryshim shpjegon pse në Itali ka një prirje më të ngadaltë në uljen e numrit të vdekjeve, edhe pse ato kanë rënë shumë në krahasim me mijëra disa ditë më parë.

Po sipas autoriteteve, virusi për fat të keq nuk do të ndalojë qarkullimin e tij si në Wuhan ku pas disa ditë me zero infeksione tani janë shfaqur rastet e para të rikthimit.

Tendenca në Itali është që kurba të vazhdojë të ulet por sipas specialistëve do të ketë shpërthime të reja të vogla të cilat do të duhet të frenohen.

Kreu i Mbrojtjes Civile italiane, Angelo Borrelli tha se “Për momentin, çdo hipotezë për lehtësim të masave është e parakohshme por në fund të fundit vendimi do jetë politik” kurse Giovanni Rezza i Institutit të Lartë të Shëndetësisë tha se “vendi nuk mund të mbajë një bllokim që tejkalon dy muaj”, dhe për këtë arsye disa masa të kufizimit dhe masave paraprake në disa sektorë, siç janë transporti dhe aktivitete të tjera që do të thotë prania e shumë njerëzve në rrugë dhe në punë, do të duhet të adaptohen.

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 566 viktima nga koronavirusi, për një total prej 20465 vde kje që nga fillimi i epidemisë.

Numri i të shëruarve dje ishte 1224 për një total prej 35435

Autoritetet raportuan edhe për 3153 raste të reja pozitiv nga Covid-19, shifra që e rrisin numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 159 516 që nga fillimi i pandemisë.

Në kujdesin intensiv janë të shtruar 83 pacientë më pak për një total prej 3260.