Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nëse nuk do të kishim marrë në kohë masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19, sot do të ishim në kushtet kur nuk do të kishim më vende në spital, për ata që do kishin nevojë për të marrë frymë.
Në një intervistë në media, Rama tha se numri i të vdekurve mund të ishte 30-fish.
“Pikërisht se kemi marrë këto masa, ne jemi sot në një kurbë goxha të butë dhe në një situatë absolutisht nën kontroll në sistemin tonë shëndetësor”, bëri të ditur Kryeministri.
Rama tha se ne jemi shumë të vetëdijshëm për efektet negative të masave, si rezultat i luftës e për gjithë dhimbjen që lufta sjell te njerëzit.
“Por jam i bindur që nëse ne vazhdojmë kështu ne do t’ia dalim më shpejt se shumë të tjerë”, vijoi ai.
Për herë të parë, kryeministri foli edhe për planin e lehtësimit.
“Ne kemi edhe planin e lehtësimit dhe pasi të kemi parë si do të ecëi kjo javë dhe java tjetër, apo më saktë 10-12 ditëshi i ardhshëm, ne mund të mendojmë edhe për ndonjë masë lehtësuese, për ndonjë nga masat që do t’i shtohen kësaj kornize masash, jo për tështrënguar por për ta lehtësuar”, tha Rama
Gjithsesi, u shpreh Kryeministri, është ende herët për ta bërë këtë gjë.
“Dua t’u them se nëse ne vazhdojmë kështu, rezistojmë për ekzistencë, për të dalë gjallë, që në familjen tonë të mos ketë asnjë të vdekur, apo që do të vuajë, atëherë me siguri do të jemi të gjithë të lehtësuar e krenar për këtë luftë që po bëjmë‘, bëri të ditur Rama.