Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se do të ketë një paketë të dytë financiare që parashikon më shumë sektorë të ekonomisë që do të mbështeten për të përballuar pasojat e infeksionit COVID-19.
Në një intervistë për ATSH-në, ministrja Denaj shprehet se po vijojnë konsultat me biznesin, ndërsa janë zhvilluar disa anketime për të kuptuar më mirë nevojat.
“Ne jemi duke bërë disa konsulta dhe disa anketime me biznesin. Konkretisht unë drejtoj edhe Këshillin e Investimeve, i cili është një forum që rrit dialogun dhe është krijuar nga institucione ndërkombëtare, të tilla si delegacioni i BE-së, BERZH dhe SECO për të rritur komunikimin mes palëve. Ne kemi lancuar një anketë para disa javëve dhe këtë javë përfundon gjithë faza e anketimit të nevojave të biznesit dhe javës që vjen do të mblidhet Këshilli i Investimeve”, tha Denaj.
Ministrja u shpreh se të gjitha shqetësimet e mbledhura përmes anketës do t’i adresojmë përmes dialogut me të gjitha palët, qeveri, biznes dhe institucione ndërkombëtare në Shqipëri.
“Në atë moment do të kemi jo vetëm qasjen proaktive të biznesit, por njëkohësisht edhe do të mund të trajtojmë draft-masat që jemi duke menduar në këtë moment”, nënvizoi ministrja.
Një ditë më parë Kryeministri Edi Rama tha se paketa e mbështetjes financiare për reduktimin e pasojave të pandemisë COVID-19 do të zgjerohet edhe me aktivitete të tjera.
Pjesë do jenë bizneset e vogla, si rrobaqepësi, servis makinash, hidraulikët, punonjësit e transportit urban.
Gjithashtu qeveria do të mbështesë edhe profesionet e lira, si hidraulikë të regjistruar, agjenci turistike, taksixhinjtë, dizajnerë që punojnë me printime, si biznese të vogla dhe të mbyllura si rezultat i luftës.
Në paketën e dytë të zgjerimit, qeveria parashikon të mbështesë edhe të gjitha ata që janë punonjës të linjave të transportit urban apo ndërurban.