Klubet italiane të Serie A, të një kampionati që është pezulluar nga 9 marsi për shkak të pandemisë së “Coronavirus”, po përballen me humbje financiare nga sponsorët, që mund të arrijnë në 250 milionë euro, në rast se sezoni nuk mund të përfundojë. Futbolli italian përfiton falë sponsorizuesve të tij rreth 600 milionë euro në sezon, por garat e pezulluara dhe pasiguria nëse do të jetë e mundur rifillimi i tyre, nënkuptojnë dëme të mëdha ekonomike, që mund të bëhen edhe më të mprehta në vitet në vazhdim.
“Nëse Seria A nuk rifillon, dëmet financiare në tre muajt e fundit të këtij sezoni llogariten rreth 250 milionë euro. Është e qartë se dëmet e shkaktuara nga tërheqja eventuale e sponsorëve të caktuar do të jenë shumë më serioze në sezonet në vazhdim, – njoftoi ekonomisti i njohur italian, Marco Bellinazzo. – Këtë vit, humbjet do të prekin vetëm një të tretën e sezonit, vitin e ardhshëm do të implikonin 12 muajt. Kriza do të trondisë shumë kompani që bashkëpunojnë me futbollin, do t’i detyrojë ato të ulin shpenzimet dhe gjëja e parë që do të bëjnë është zvogëlimi i shpenzimeve për reklamim”.
Kjo, së bashku me humbjet në të ardhurat e të drejtave televizive, janë arsyeja pse Federata Italiane e Futbollit (FIGC) e konsideron thelbësor përfundimin e sezonit, madje duke tejkaluar kufirin e 30 qershorit. “Askush sot nuk mund të bëjë parashikime, derisa ta kemi këtë emergjencë shëndetësore. Është një emergjencë unike, e cila preku të gjithë sektorët. Por, sa më shpejt që të kapërcehet, duhet të përparojmë dhe futbolli po mendon se si mund të rifillojë konkurencën. Është me rëndësi jetike të mbarojmë kampionatet”, – tha së fundi presidenti i FIGC, Gabriele Gravina.
Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e “Coronavirusit” do të shkaktojë, sipas ekspertëve, një tkurrje të PBB-së italiane prej të paktën 10% në semestrin e parë të vitit 2020 dhe kompanitë që prodhojnë pajisje sportive do të vuajnë veçanërisht nga garat e paralizuara. “Kriza do të jetë edhe më e fortë me aktivitetin sportiv të ndaluar. Është e qartë se gjigandët sportivë do të kenë një tkurrje të paktën me 50% të shitjeve të tyre. Kjo ndodh në Itali dhe në të gjitha vendet e tjera, ndaj mund të provokojë një rishikim të kontratave të sponsorizimit, të nënshkruara me klubet”, – tha Bellinazzo.
Këtë vit janë nëntë marka të veshjeve sportive, që sponsorizojnë 20 klubet e Serie A: Adidas (Juventus), Nike (Inter dhe Roma), Puma (Milan), Le Coq Sportif (Fiorentina), Joma (Atalanta, Sampdoria dhe Torino), Errea (Parma), M908 (Lecce), Kappa (Brescia, Genoa, Napoli dhe Sassuolo), Macron (Bologna, Cagliari, Verona, Lazio, Spal dhe Udinese). Një tkurrje në nivelin e shitjeve të fanellave do të prekte direkt klubet si Juventusi, i sponsorizuar nga Adidas nga 2017 deri më 2027, teksa fitoi ekskluzivitetin në shitjen e brand-eve të tij elastike dy vjet më parë, për 7 milionë euro.
“Juventusi hapi një kompani të brendshme për të shitur produktet me markën e saj. Ai hoqi dorë prej 7 milionë eurosh, që Adidas duhej të paguante në këtë drejtim. Kjo do të thotë se do të pësoja direkte nga shitja e produkteve me markën e Juventusit, – shpjegon Bellinazzo. – Te kjo do të shtohen humbjet e regjistruara nga dyqanet e ndryshme të markave përkatëse. Kjo tkurrje në tregti do të prekë të gjitha klubet, në një përqindje të caktuar”.