Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj parashikon se në fund të muajit të majit mund të kemi hapje të të gjitha bizneseve, funksionim i të cilëve është paralizuar nga COVID-19. Denaj u shprehet se, fillimisht do të merren vendim për hapje të pjesshme për disa kategori për të arritur që në fund të majit, të gjitha bizneset të jenë aktive.

Një deklaratë të tillë nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, u bë në një kohë kur tha ajo po diskutohet dhe një paketë e dytë ndihme financiare për bizneset, ku do të përfshihen dhe ato të mesme dhe të mëdha, të cilat ishin të përjashtuara në paketën e parë.

“Hapja e bizneseve është një diskutim konkret, unë besoj se brenda muajit prill do të ketë biznese të hapura. E rëndësishme është për të parë se si ecën dhe këtë javë situata me pjesën e infeksioneve në të gjithë rajonet e Shqipërisë. Hapja do të fillojë në mënyrë të përshkallëzuar. Ne besojmë se nëse situata e përhapjes së virusit do të jetë e kufizuar siç është në rastin konkret, do të ketë shumë më tepër probabilitet që hap pas hapi, deri në fund të majit të kemi një shtrirje për të gjitha bizneset për të funksionuar”, theksoi Denaj në një emision televiziv.

Denaj parashikon efekt negativ të COVID-19 në punësime

Denaj, gjatë një interviste për ‘Ilva Now’ deklaroi se nga kriza e COVID-19, në Shqipëri papunësia brenda një muaji mund të rritet me 50-60 mijë persona. Por, shifrat mund të jenë akoma edhe më shumë pesimiste nëse kjo situatë do të vijojë edhe për shumë kohë.

“Kjo është një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur sepse lidhet me atë impakt të padëshiruar. E di që është e paevitueshëm që do të ketë nnjë rritje të numrit të papunëve. Papunësia në një 1 muaj do të shkojë në nivelin e 50-60 mijë të papunë. Nëse kjo periudhë zgjat mendoj se do të rritet. Ky numër është një kalkulim që vjen në masat aktuale të kufizimit të lëvizjeve. Ka biznese që janë duke menduar ridimensionimin. Shikoj që bizneset po rrisin numrin e largimeve nga dita në ditë”, theksoi Denaj.

Më tej, ministrja e Financave nënvizoi se për këtë kategori që do të humbin vendin e punës, qeveria do të ofrojë një ndihmë sa gjysma e pagës minimale në vend që është në nivelin 27 mijë lekë. “Kemi një skemë e cila është skemë e ndërtuar prej kohësh, që ndihmon me një fond sa gjysma e pagës minimale të papunët. Fondi ka një rregull të caktuar, nëse një person ka kontributet prej një viti merr një muaj fond nga papunësia”, u shpreh ministrja.

Nga ana tjetër qeveria po diskuton një paketë të dytë për të ndihmuar bizneset që janë dëmtuar nga COVID-19, ku pritet të përfshihet biznesi i mesëm dhe i madh. Lidhur me kohën se kur mund të hiqen kufizimet, znj. Denaj tha se, pritet që brenda muajit prill të ketë biznese të hapura. “Do të shikohet se si ecën dhe këtë javë numri i të infektuarve. Do të fillojë në mënyrë të përshkallëzuar, nuk do të hapen menjëherë”, tha ajo.