Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka firmosur dhe dokumentin për dorëzimin e 50% të pagave nga deputetët e PS-së.
Balla shprehet se “grupi parlamentar i Partisë Socialiste duke vlerësuar si shumë të vështirë gjendjen që po kalon vendi në përballje me pandeminë botërore të shkaktuar nga COVID-19, shpreh vlerësimin më të lartë për mjekët, infermierë, punonjësit e policisë, ushtrisë dhe çdo punonjësi publik e shërbimesh, të cilët janë në vijën e frontit në përballimin e kësaj situate të vështirë.
“Duke vlerësuar maksimalisht të gjitha masat parandalues të distancimit social, të gjitha masat ekonomike dhe sociale, të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, të formësuara në akte normative, vendimet dhe urdhrat përkatës. Duke përshëndetur bashkëveprimin e Qeverisë me njësitë e qeverisjes vendore në organizimin e Operacionit Humanitar në ndihmë të personave të moshës së tretë që jetojnë vetëm si dhe të familjeve në nevojë.Duke nënvizuar rëndësinë e solidaritetit në përballimin e kësaj situate, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ju njofton se ka vendosur se çdo deputet të dorëzojë 50 % të pagës mujore në Buxhetin e Shtetit gjatë gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga COVD-19 dhe deri në përfundim të saj”, shprehet ai.
“Ju njoftojmë gjithashtu se përmes komunikimit me anëtarët e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit, vendimin tonë ua kemi bërë të ditur edhe grupeve të tjera parlamentare.Gjithashtu ne i nxisim që këtë masë për dorëzimin e 50 % të pagës mujore në Buxhetin e Shtetit gjatë gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 dhe deri në përfundim të saj ta ndërmarrin edhe institucionet e tjera të pavarura”, u shpreh Balla.
“Edhe pse në masat e domosdoshme të distancimit social, Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e bashkuar se sot. Me solidaritet social dhe me kontributin e të gjithëve, Shqipëria do ta kalojë këtë situatë të vëtirë”, shprehet ai.