Ka një debat thuajse global për fundin e kësaj pandemie. Një pjesë e madhe e shkencëtarëve thonë se garancia e vetme që të kthehemi në normalitet është vaksina, por ajo do të dojë kohë deri sat ë realizohet. Aktualisht janë tre vaksina në testim nga të cilat ka më shumë shpresë, ndërkohë që thuajse të gjitha vendet e prekura po shtojnë stokun e respiratorëve dhe numrin e shtretërve.
Në thelb po ndërtohen ngado spitale të posaçme kundër CoVid-19. P.sh dje Turqia njoftonte inaugurimin e një spitali me mbi 2500 shtretër në Stamboll si dhe prodhimin e afërt të mbi 5000 respiratorëve të zhvilluar në vend. Presidenti i vendit Erdogan e cilësoi këtë objekt dhe infrastrukturën e tij si dëshmi se Turqia ka kapacitete të përballojë e vetme një pandemi si kjo, ndërkohë që në tregun ndërkombëtar blerja e respiratorëve është bërë thuajse e pamundur.
Lidhur me fundin e epidemisë, data 4 maj është shenjuar nga Italia si vendi më i goditur si momenti i një hapjeje relative. Ndërkohë në Monza dhe në Bergamo janë mbyllur urgjencat e ngritura kundër koronavirusit. Në Serbi, një tjetër vend i prekur jo pak, epidemiologu kryesor Predrag Kon ka deklaruar se mund të flitet për fundin e epidemisë në javën e 8-të. Sipas tij java e shtatë është më delikatja, por pa sqaruar më tej se për cilat arsye ndiqet kjo kurbë.
Nëse krahasojmë Italinë, ajo shpalli karantinimin në datën 9 mars dhe po mendon ta lehtësojë atë me 4 maj. Që I bie diku te tetë javë në bllokim deri në uljen e kurbës. Duket se ka një lloj konsensusi mes epidemiologëve se karantina e plotë jep efekt real për dy muaj. Dhe në datën 4 maj edhe Shqipëria ka paralajmëruar hapje më të zgjeruar, ndonëse aktualisht një lloj lirie lëvizjeje është në fuqi dhe do të zgjerohet më 27 prill.
Nuk dihet nëse afrimi I stinës së nxehtë jep shpresë në këtë hapje, por nuk përjashtohet edhe fakti se virusi që nga dhjetori 209 e deri më tani ka mbushur gati 6 muaj që po godet anekënd botës dhe është e pritshme që virulenca e tij të bjerë. Edhe pse askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në vjeshtën e ardhshme.