Ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar lidhur me denoncimin e ish-deputetit demokrat Bardh Spahia, i cili ngriti akuzat se tamponët e marrë një ditë më parë në qytetin e Shkodrës nuk janë analizuar.
Berisha thotë se kryeministri Edi Rama po mban një qëndrim armiqësor ndaj Shkodrës duke fshehur rezultatet e testeve të koronavirusit. Sipas tij, ky akt rrezikon përhapje më të madhe te koronavirusit.
“Të dashur miq, në një akt të mirëfiltë armiqësor dhe manipulativ kryeepidemiologu Xhahil i Surrelit, Edvin PPPMaska duket ka urdhëruar të fshihen dhe të mos tregohen rezultatet e testeve për Covid-19 të marra dje Shkodër meqënëse ai do të fshehë të vërtetën edhe në kurriz të shëndetit dhe jetës së qytetarëve të këtij qyteti!
Ky akt armiqësor ndaj Shkodrës i denoncuar nga ish-deputeti Bardh Spahia nuk është një rast i izoluar por element i një zinxhiri vendimesh dhe qëndrimesh kriminale, të cilat bënë të mundur përhapjen e epidemisë së Covid-19 në Shkodër më shumë se në çdo qytet tjetër pas Tiranës.
Kështu që nga rastet para e në vazhdim të Shkodrës u vendos një fshehtësi dhe sekret absurd i cili vazhdon e trashet çdo ditë e më shumë duke bërë të mundur një përhapje të shpejtë dhe të pakontrolluar të Covid-19 në qytetin e Shkodrës”, shkruan ish-lideri i demokratëve në rrjetet sociale.