Për shkak të masave shtrënguese të qeverisë, për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19, të cilat ndër të tjera kufizojnë qarkullimin e mjeteve, qytetarët mund të kryejnë çregjistrim të përkohshëm të automjeteve, veprim ky që i lehtëson nga pagesa e taksave.
“Të gjithë qytetarët që nuk dëshirojnë të paguajnë taksat e mjetit për periudhën që nuk mund të qarkullojnë/nuk janë autorizuar për lëvizje me mjet përkohësisht apo sepse duan të çregjistrojnë mjetin përfundimisht, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor mundëson çregjistrimin e mjetit”, thuhet në një njoftim të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.
DPSHTRR njoftoi se çregjistrimi mund të jetë i përkohshëm ose i përhershëm.
Për të kryer çregjistrimin qytetari plotëson formularin për çregjistrim të përkohshëm/përhershëm të mjetit dhe më pas do kontaktohet nga numri i telefonit/adresa e e-mail nga stafi i drejtorisë rajonale për t’u njoftuar për orarin dhe datën se kur duhet të paraqitet në sportel për të vijuar me procedurat e çregjistrimit të përkohshëm/përhershëm të mjetit.