Nga Eduard Zaloshnja
Ministria e Shëndetësisë raportoi sot se gjatë ditës së djeshme u konfirmuan 7 raste të reja me COVID-19. I njëjti numër rastesh ishte regjistruar edhe 20 ditë më parë, në 9 prill, kur dukej se kurba ditore e rasteve me COVID-19 po shkonte drejt zeros. Atëherë zbritja kishte ndodhur pasi ishte arritur rekordi i prej 29 rastesh më 3 prill, ndërsa tani zbritja shënohet, pasi u arrit rekordi tjetër prej 34 rastesh më 24 prill.
Siç demonstrojnë grafikët shoqërues, COVID-19 ka shkaktuar dy dallgë të vogla deri më sot tek ne, Bëhet fjalë për dallgët e konfirmuara zyrtarisht, sepse fakti që në Itali është gjetur se pandemia ka mbërritur atje qysh në janar (e jo në shkurt, kur u konfirmua zyrtarisht), shërben si indicie që edhe në Shqipëri mund të kemi patur një dallgë paraprake, të paregjistruar zyrtarisht.
Sidoqoftë, dallgët e COVID-19 (si ato të konfirmuara edhe ajo e pakonfirmuar) nuk e kanë vënë në vështirësi sistemin tonë të varfër shëndetsor, sepse rekordi ditor i të sëmurëve në gjendje të rëndë apo serioze ka qenë 11 deri më sot. Që përkthehet në pothuaj 3 për milion banorë. Përveç Bosnjës, asnjë vend Europian nuk ka patur rekord më të ulët se ky në statistikën më domethënëse për sistemet shëndetësore – numrin e pacientëve që kanë nevojë për respirator/intubim.
Nga pikpamja epidemiologjike, dallga e parë e infeksionit ishte e shtrirë në territor – u regjistruan raste në të 14 njësitë administrative urbane të Tiranës, si dhe të qyteteve kryesore të Shqipërisë. Dhe pikërisht kur kurba e rasteve ditore dukej se po shkonte drejt zeros (R2=0.75), u hapën papritmas dy vatra të mëdha në dy lagje të Shkodrës dhe një në trekëndëshin Krujë-Fushë Krujë-Laç, me qendër një fasoneri me 300 punonjës. Kjo bëri që numri i rasteve ditore të kapte shifrën 34 para një jave. Me pak fjalë, dallga e dytë ishte më e lartë se e para, por më e ngushtë nga pikpamja e shpërndarjes territoriale.
Me hapjen e shumë bizneseve dhe me rritjen e numrit të njerzve që dalin nga shtëpia, kuptohet që rritet ndjeshëm probabiliteti i transmetimit të koronavirusit, i cili ende endet mes nesh. Kështu që është e pritshme edhe një dallgë e tretë në javët në vijim, që do të jetë e shtrirë në territor, si e para, dhe ndoshta më e lartë se e dyta.
Sidoqoftë, le të shpresojmë se shumica dërrmuese e shqiptarëve janë ndërgjegjësuar për faktin që sakrifica e bërë në 6 javët e kaluara në karantinë mund të hidhet në kosh të plehrave nga një pakujdesi e vogël, në dyqanet ku shkojnë apo në stolat ku ulen. Përndryshe, respiratorët e spitaleve tona nuk do të mjaftojnë për pacientët që do të kenë nevojë për ta.