Komuniteti Myslimani i Shqipërisë duke vlerësuar situatën aktuale të krijuar nga COVID-19 dhe fillimin e Muajit të Bekuar të Ramazanit zhvilloi takime konsultuese me myftinjtë e qyteteve. Në to u diskutua mbi vendimet dhe hapat që duhet të ndërmerren në lidhje me organizimin e aktiviteteve fetare gjatë muajit të Ramazanit.
Duke u nisur nga fakti që një nga qëllimet më të mëdha të fesë Islame është ruajtja e jetës dhe mbrojtja e saj nga të gjitha rreziqet dhe dëmtimet, Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë bazuar në përgjegjësinë e saj fetare dhe ligjore bën me dije se lejohet fetarisht pezullimi i namazit të xhumasë dhe namazeve të tjera me xhemat (kolektivisht) nga rrezikshmëria e përhapjes dhe pasojave që mund të sjellë ky virus.
Për këtë arsye Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mori këto vendime:
1. Ngarkohen të gjithë myftinjtë dhe stafi i tyre të ndërmarrin fushata sensibilizuese dhe të informojnë të gjithë besimtarët që muajin e Ramazanit dhe ritualet fetare t’i kryejnë në banesat e tyre.
2. Gjatë Muajit të Ramazanit anulohet edhe falja e namazit të Teravive me xhemat dhe organizimi i iftareve të përbashkëta, deri në një vendim të dytë.
3. Vazhdon të jetë në fuqi anulimi i tubimeve masive si: ligjërata, kurse në xhami, namazi i Xhumasë dhe të gjitha aktivitetet me natyrë tubuese.
4. Ezani të vazhdojë të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë.
5. Zbatimi me rigorozitet i të gjitha sugjerimeve dhe këshillave të nxjerra nga autoritetet përkatëse në vendin tonë si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Argumenti fetar që e ligjëron pezullimin e ritualeve kolektive është ajeti “… dhe mos e hidhni veten në rrezik me duart tuaja” (Surja Bekare, ajeti 195).
Po ashtu hadithi i transmetuar tek Buhariu dhe Muslimi ku thuhet: “Abdullah bin Abas (r.a) i tha muezinit të tij në një ditë me shi: Kur të arrish tek vargu i Ezanit “Ejani në namaz” zëvendësoje duke thënë “Faluni në shtëpitë tuaja”. Në ato momente për shkak se pati kundërshtime ndërmjet njerëzve ai tha: “Këtë gjë (pezullimin e namazit në grup) e ka bërë ai që është më i mirë se unë (I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s), dhe mua nuk më vjen mirë t’ju vë në siklet në kohë me shi duke ju bërë thirrje të vini në xhami duke ecur nëpër baltë”.
Hadithi tregon se është urdhëruar braktisja e namazit me xhemat për të shmangur vështirësitë e shkaktuara nga shiu dhe nuk ka dyshim se rreziku i virusit është më i madh se kaq.Dijetarët e Fikhut kanë konkluduar se frika për jetën, pasurinë dhe familjen është një justifikim që lejon braktisjen e namazit të xhumasë dhe namazeve me xhemat.
Ebu Dauti transmeton nga Ibn Abasi se Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që dëgjon thirrësin (ezanin) dhe nuk ka asnjë pengesë që t’i përgjigjet ezanit duke shkuar në xhami, le t’i përgjigjet”. Ata i thanë: E çfarë mund të bëhet pengesë? Ai tha: Frika për shëndetin dhe sëmundjet”.
Gjithashtu hadithi i Abduhrrahman bin Aufit i transmetuar tek Buhariu dhe Muslimi rrëfen se ka dëgjuar Profetin Muhamed (a.s) të thotë: “Nëse dëgjoni se diku ka rënë epidemia, atëherë mos hyni në atë vend dhe nëse ajo bie në vendin ku ndodheni, atëherë mos u largoni nga ai vend”.
Duke u bazuar tek argumentet e mësipërme e kemi detyrë fetare dhe morale të ruajmë veten dhe të tjerët.
Nuk është aspak e lehtë për asnjë besimtar që xhamitë, në këtë muaj të Bekuar të jenë të mbyllura për adhurime kolektive por shpresojmë që kjo kohë të shërbejë për gjithsecilin si periudhë reflektimi duke shtuar adhurimin, lutjet dhe Istgfarin (pendimin) tek Krijuesi i Gjithësisë, me shpresën që të na mëshirojë dhe të na e largojë sa më shpejt këtë situatë.
GËZUAR MUAJIN E BEKUAR TË RAMAZANIT!