Mbretëresha Elizabeth II ka kërkuar që të anulohet tradita e përshëndetjes me armë që shënon festimet për ditëlindjen e saj të martën, për herë të parë gjatë mbretërimit të saj 68-vjeçar. Në mes të përpjekjeve të vendit për të luftuar koronavirusin, monarkia ka reflektuar për këtë traditë, e cila nuk do të ishte e përshtatshme tani që virusi ka marrë më shumë se 14 mijë jetë në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo do të festojë ditëlindjen e 94-të në Windsor, atu ku po jeton aktualisht.
Përshëndetjet me armë, të cilat janë shkrepur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, zakonisht përdoren nga familja mbretërore për të shënuar raste të veçanta si përvjetorë dhe ditëlindje. Një burim i Buckingham Palace tha se ditëlindja e saj nuk do të festohet në ndonjë mënyrë të veçantë, duke shtuar se çdo telefonatë apo video telefonike që ajo ka me familjen, do të mbahet private.
“Nuk do të ketë përshëndetje me armë. Madhëria e saj ishte e prirur që të mos vendoseshin masa speciale për të lejuar përshëndetjet me armë pasi ajo nuk e ndjeu atë të përshtatshme në rrethanat aktuale”, thotë burimi.
Në 5 prill, Mbretëresha Elizabeth II iu drejtua popullit me një fjalim historik për luftën kundër pandemisë Covid-19.
Ajo u shpreh se Mbretëria e Bashkuar bashkohet me të gjitha vendet e botës për shkak të rrezikut global. Mbretëresha i bëri thirrje popullit që të bëjë durim, pasi ditë më të mira do të vijnë.