Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi pezullimin e procedurave për shqyrtimin e aplikimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), për përcaktimin e tarifave sipas nivelit të tensionit për vitin 2020.
“Me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, janë kufizuar një sërë lirish kushtetuese e mes të tjerave është kufizuar aksesi në ambjente publike, të cilat kanë një frekuentim të gjerë, tubimet, etj, dhe për institucionet publike edhe aktivitetet në minimumin e domosdoshëm. Me marrjen e këtyre masave të jashtëzakonshme, ERE ndodhet në kushtet e pamundësisë për të organizuar seanca publike apo teknike si dhe për të vijuar normalisht procesin e konsultimit me të licencuarit apo me aplikuesit si dhe palët e interesit”, thuhet në njoftimin e ERE-s.
Nisur nga këto rrethana, ERE vendos lënien në fuqi të tarifave të deritanishme të përdorimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike per nivelet e tensionit
Kështu, tarifa e shërbimit të shpërndarjes në nivelin e tensionit 35 kV është 1.5 lekë Kwh, në nivelin e tensionit 20 kV tarifa është 3.9 lekë/kwh, ndërsa tarifa mesatare e shërbimit të shpërndarjes është 4.79 Kwh.