Pas ndërprerjes thuajse dy mujore të mësimit për shkak të koronavirusit, Fakulteti i Mjekësisë ka marrë vendim për mbylljen e vitit akademik.

Në vendimin e sotëm thuhet se viti akademik cilësohet i mbyllur, ndërkohë që për provimet thuhet se do të mbahen online ose në distancë.

Në vendim shkruhet se studentët ruajnë të drejtën e frekuentimit me dëshirë të seancave të prapambetura në vitin e ardhshëm me grupet e rregullta mësimore.

Lidhur me provimet thuhet se do të zhvillohen me shkrim duke ruajtur distancën për shkak të Covid-19 ose në formën online.

Kjo formë e provimit në distancë do të vihet në zbatim për lëndët ose modulet kur është e mundur. Ndërkohë që studentët në vitin e fundit akademik që nuk kanë provime të mbartura, mund të nisin punimin e diplomës.